Lidhje

Demokratët dhe inagurimi i presidentit Bush - 2005-01-16


Inaugurimi i presidentit republikan George Bush për mandatin e tij të dytë është një ditë e veçantë gëzimi për republikanët në Shtetet e Bashkuara. Por ka edhe shumë demokratë të cilët e shohin ditën e inaugurimit si një festë kombëtare, si një rast që ka presidenti për ta grumbulluar popullin rreth tij pa dallime partiake. Kolegu ynë Ilir Ikonomi bisedoi me një shqiptaro-amerikan i cili ka punuar për fushatën e senatorit demokrat John Kerry. Ai është Ilir Zherka, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare DC Vote, organizatë e cila përpiqet t’i japë kryeqytetit të vendit, Uashington, përfaqësim të plotë në Kongresin amerikan.

Si njeri me bindje demokrate, zoti Zherka do të dëshironte që sot president të ishte John Kerry dhe ai i kritikon shumë nga politikat e republikanëve. Por ai thotë se vendimi i votuesve duhet respektuar.

“Mendoj se njerëzit e pranojnë faktin që zgjedhjet kanë përfunduar dhe amerikanët janë shumë të aftë kur vjen puna për të pranuar fituesin dhe për të ecur përpara. Amerikanët e bënë këtë me zgjedhjet e nëntorit, ata e pranuan se George Bushi doli fitues, madje kësaj here ishte ndryshe nga viti 2000, kur pati shumë polemika dhe u shtruan pikëpyetje nëse Presidenti Bush ishte një president legjitim. Shumica e njerëzve në Amerikë dhe shumica e demokratëve mendojnë se ai u zgjodh në mënyrë legjitime, mori më shumë vota dhe ata e kanë pranuar rizgjedhjen e tij.”

Zoti Zherka ka punuar për fushatat e disa kandidatëve demokratë, midis tyre edhe për fushatën e John Kerry-t. Tani që demokratët do të jenë në opozitë, ai thotë se ata duhet të jenë të kujdesshëm në taktikat që do të zgjedhin.

“Mendoj se demokratëve do t’u duhet të kundërshtojnë ato propozime republikane që atyre u duken të gabuara. Por është gjithashtu detyrë e demokratëve që të ofrojnë zgjidhje pozitive, sepse në cilindo vend qoftë, opozita nuk mundet që të thotë thjesht ”jo”. Ajo duhet të shpjegojë se përse një politikë nuk është e drejtë dhe të japë alternativën e saj. Kjo alternativë duhet të jetë e peshuar, duhet t’u komunikohet njerëzve në mënyrë të përsëritur dhe të logjikëshme, që njerëzit të kuptojnë se cilat janë alternativat dhe të kenë një vizion real kur të vijnë zgjedhjet e tjera, në vitin 2006 për Kongresin dhe më 2008 për Shtëpinë e Bardhë. Pra, kjo është sfida e demokratëve, të kundërshtojnë bazuar mbi parimet, kur kjo është e nevojshme dhe të dalin me një program pozitiv që është i logjikshëm për njerëzit.”

Tradita e inaugurimeve presidenciale në Amerikë është e vjetër. Për inaugurimet bëhen përgatitje të mëdha dhe shpenzohen shumë para. Zoti Zherka mendon se këto janë ngjarje të rëndësishme dhe shpenzimet ja vlejnë.

“Absolutisht që ja vlejnë. Unë nuk jam dakord me George Bushin por ai është presidenti im, është Presidenti i Amerikës. Ne dëshirojmë ta përshëndesim presidencën e tij dhe t’i japim atij dhe të tjerëve që drejtojnë vendin rastin për të na mbledhur së bashku qoftë edhe vetëm në ditën e inaugurimit, por edhe kjo ka rëndësinë e saj. Çdo rast kur presidenti e mbledh popullin së bashku është i rëndësishëm. Raste të tilla janë festat apo inaugurime si ky, kur njerëzit reflektojnë për një çast dhe thonë: ne mund të jemi republikanë ose demokratë por në radhë të parë jemi amerikanë. Prandaj ceremoni të tilla inaugurimesh janë të nevojshme dhe paratë që shpenzohen nuk janë shumë po të krahasohen me kuadrin e përgjithshëm të gjërave".

Zoti Zherka thotë se luftrat politike në Uashington do të vazhdojnë por ai e përshëndet inaugurimin e çdo presidenti sepse kjo, thotë ai, shënon një kalim të qetë nga njëra administratë tek tjetra me një opozitë e cila nuk ngurron ta pranojë humbjen.

XS
SM
MD
LG