Lidhje

Irak: terroristët vazhdojnë përpjekjet për të bllokuar zgjedhjet e 30 janarit - 2005-01-17


Terroristët në Irak po përpiqen të bllokojnë zgjedhjet kombëtare të planifikuara për 30 janar. Kryeministri i përkohshëm irakian, Ijad Allaui, thotë se në përpjekjet për të mos lejuar irakianët të votojnë marrin pjesë disa grupe: “Një përzierje grupesh të ndryshme, ku përfshihen bathistë, elementë të regjimit të përmbyusur e terroristë të huaj dhe hetimet për identifikimin e këtyre grupeve ende nuk kanë përfunduar.”

Megjithë sulmet terroriste, më shumë se 14 milionë irakianë janë regjistruar për të marrë pjesë në votim. Edhe irakianëve që jetojnë në vende të tjera, do t’u krijohet mundësia për të votuar. Afro 19 mijë kandidatë nga rreth 100 koalicione dhe parti konkurojnë për 275 vendet e asamblesë kombëtare irakiane, 18 këshilla krahinorë dhe asamblenë kombëtare kurdistane.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Skot Maklellen, thotë se zgjedhjet do të jenë një moment historik për popullin irakian: “Zgjedhjet e 30 janarit janë të parat nga tre votimet që do të zhvillohen në Irak gjatë këtij viti. Më 30 janar, irakianët do të zgjedhin një qeveri kombëtare kalimtare. Kjo qeveri kalimtare do të hartojë kushtetutën, populli irakian do të votojë për këtë kushtetutë dhe pastaj nga fundi i vitit, irakianët do të kenë rastin të zgjedhin një qeveri përfaqësuese të përhershme.”

Shumica e irakianëve kërkon një të ardhme të mbështetur në vlera demokratike dhe liri. Irakianët do të bëjnë një hap madhor kur të paraqitën në qendrat e votimit më 30 janar.

XS
SM
MD
LG