Lidhje

Sot, dita e Martin Luther King  - 2005-01-17


Në mbarë Shtetet e Bashkuara zhvillohen ceremoni, parada dhe shërbime kishtare për nder të ditëlindjes së udhëheqësit të lëvizjes për të drejtat civile, Martin Luther King Junior. Megjithëse ditëlindja e tij e vërtetë është më 15 janar, e hëna e tretë e janarit është caktuar për të nderuar këtë figurë dhe lëvizjen e tij për drejtësi sociale. Amerikanët në mbarë Shtetet e Bashkuara përkujtojnë me nderime jetën dhe veprën e Martin Luther King-ut. Kjo ditë e shënuar nderohet në disa mënyra, si parada, vendosje kurorash e madje dhe protesta. Në Philadelphia të Pensilvanisë tingulli i së ashtuquajturës Këmbana e Lirisë është bërë traditë. Çdo vit vendosen kurora në varrin e Doktor Kingut në Atlanta të Georgia-s. Dhe protestues kanë demonstruar kundër luftës për të cilën mendojnë se bie në kundërshim me trashëgiminë e Doktor Kingut për rrugë paqesore e barazi për të gjithë.

“Një nga lavditë më të çmuara të demokracisë amerikane është e drejta jonë për të protestuar dhe ne do të protestojmë me rregull e jo me dhunë”.

Këto ishin fjalët e të riut Martin Luther King vetëm disa ditë pasi ai kishte organizuar një bojkotim të transportit publik në Montgomery të Alabamës për t’i dhënë fund racizmit në këtë sektor. Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në jug të vendit, ligji kërkonte që zezakët të zinin pjesën e përparme të autobusit, ndërsa të bardhët të uleshin në fillim. Rruga paqesore e të Përndershmit King filloi me një bojkotim dhe vazhdoi me synimin për të drejta të barabarta për zezakët në Amerikë. Kjo e bëri atë një figurë ndërkombëtare.

Në vitin 1964, i Përndershmi King mori Çmimin Nobel për Paqe dhe gjithashtu ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së të Drejtave Civile, e cila u hartua për të drejta të barabarta për zezakët e Amerikës, siç përcaktohet në kushtetutë.

I Përndershmi Clarence Newsome, ish-dekan i Shkollës Teologjike në Universitetin Howard shpjegon rëndësinë e përkujtimit të veprës së Martin Luther Kingut

“Përkujtimi i jetës së tij na bën të kemi gjithnjë parasysh vizionin dhe mundësinë; na frymëzon ta kthejmë ëndrrën në realitet”.

Dhe kjo ëndërr u shpreh në një fjalim mjaft frymëzues për të drejtat civile gjatë një marrshimi në Washington në mars të 63-shit.

“Unë e kam ëndërr që ky vend të bëjë realitet kredon amerikane se ‘Ne e konsiderojmë të vërtetë të pakundërshtueshme që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë’ në kuptimin e vërtetë të fjalës” tha zoti King.

Tubimi masiv ku morën pjesë njerëz të të gjitha racave, dhe fjalimi i Doktor Kingut ndihmuan miliona amerikanë të kuptojnë më mirë lëvizjen për të drejta civile. Sterling Tucker, veprimtar i të drejtave civile, i cili pati ndihmuar në organizimin e tubimit, kujton atë ditë historike.

“Kur grupi i veprimtarëve u takua me presidentin e Shteteve të Bashkuara, ai tha se i kishte ndjekur ngjarjet e asaj dite përmes televizionit dhe theksoi se kështu duhej vepruar për miratimin e Aktit për të Drejtën e Votës. Kështu qeveria filloi të lëvizte në drejtimin e duhur dhe bashkë me të edhe industria e pjesë të tjera të prodhimit ”, thotë veprimtari.

Pas tubimit të Marsit, i Përndershmi King vazhdoi të luftonte për të drejta civile duke organizuar marrshime e demonstrata për të drejtat e votimit, për mundësi të barabarta në shërbimet publike e pagë të babartë. Në prill të 1968-ës i Përndershmi King shkoi në Memphis të shtetit Tennessee, për të mbështetur dhe ndihmuar një grevë të punonjësve të shërbimeve sanitare. Aty ai mbajti fjalimin e tij të fundit, që ka mbetur i famshëm deri në ditët tona.

“E kam parë Tokën e Premtuar dhe unë mund të mos arrij atje me ju, por dëshëroj që sonte ju ta dini se si popull ne do të shkojmë në Tokën e Premtuar”, tha Martin Luther King.

Të nesërmen i Përndershmi King u qëllua për vdekje kur ndodhej bashkë me miqtë e tij në ballkonin e hotelit ku po qendronte. Me rastin e ditëlindjes së tij shumë amerikanë e nderojnë kujtimin e Martin Luther Kingut, duke u përpjekur të bëjnë diçka për një shoqërimë më të drejtë.

XS
SM
MD
LG