Lidhje

Presidenti Bush do të përqëndrohet në politikën e brendëshme  - 2005-01-17


Fjalimi i inagurimit i presidentit Bush pritet të parashtrojë parimet për katër vitet e ardhshëm dhe kursin në të cilin ai dëshiron ta drejtojë vendin. Korrespondenti politik me origjinë shqiptare i gazetës prestigjoze Washington Times, Donald Lambro thotë se gjatë mandatit të tij të dytë presidenti Bush do të përqëndrohet më shumë në politikën e brendëshme, por planet e tij do të varen nga lufta kundër terrorizmit.

Zëri i Amerikës: Zoti Lambro në se mund të na flisni pak për traditën e inagurimit të presidentit këtu në Shtetet e Bashkuara. Ku qëndron thelbi i kësaj tradite?

Donald Lambro: Presidenti do të përmendë problemet në vend dhe atë që mbetet për të bërë gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Në fjalimin e presidentit do të dëgjojmë për problemet me të cilat përballemi në vend dhe jashtë, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Nuk mendoj se presidenti do të bëjë ndonjë propozim por ai ndoshta do të parashtrojë në përgjithësi parimet që do të jenë forca udhëheqëse për katër vitet e ardhshme dhe kursin në të cilin ai dëshon ta drejtojë vendin. Do të jetë një fjalim shumë pozitiv, frymëzues dhe optimist.

Zëri i Amerikës: Ju keni ndjekur inagurimet presidenciale për disa dekada. A do të ketë inagurimi i sivjetshëm diçka të veçantë?

Donald Lambro:Kam ndjekur shumë inagurime si për mandatin e dytë të presidentit Reagan dhe presidentë të tjerë. Ne jemi një vend në luftë dhe kjo është ndoshta e veçanta. Eështë ndryshe për shembull nga inaugurimi për mandatin e dytë të presidentit Eisenhower në vitin 1950 kur ishim në paqe. Pra ky është një inagurim që ndodh në një kohë që ushtarët amerikanë po sakrifikojnë jetën e tyre në Irak dhe Afganistan. Gjithashtu në vend ka një lloj ankthi rreth luftës dhe problemeve të tjera.

Zëri i Amerikës: Me fitoren e zgjedhjeve, presidenti Bush tha se fitoi kapital politik të cilin do ta përdorë për të realizuar planet e tij ekonomike. A mendoni se gjatë mandatit të dytë administrata amerikane do të përqëndrohet më shumë në politikat e brendëshme dhe më pak në ato të jashtme?

Donald Lambro: Po, mendoj se presidenti do të përqëndrohet më shumë në planet e tij të brendëshme gjë që kishte ndërmend ta bënte që kur u zgjodh president herën e parë. Por sigurisht që 11 shtatori ndryshoi shumë gjëra. Planet kryesore të presidentit janë pikërisht në politikën e brendëshme. Kjo do të varet sigurisht nga çfarë do të ndodhë në Irak. Planet e tij të politikës së brendëshme do të varen nga situata atje. Por përsa i takon asaj që presidenti kërkon të bëjë në kongres, janë pikërisht reformat në sigurimet shoqërore, thjeshtimi i sistemit të taksave, reforma në drejtësi. Presidenti ka plane të mëdha që janë shumë të vështira për tu realizuar dhe mendoj se zoti Bush kërkon të përqëndrohet në planet e brendëshme, por lufta kundër terrorizmit mund ti ndryshojë planet e tij.

Zëri i Amerikës: Gjatë mandatit të parë marrëdhëniet e presidentit me udhëheqësit evropian u acaruan për shkak të kundërshtimeve mbi luftën në Irak. Çfarë strategjie do të ndjekë presidenti për të fituar përsëri mbështetjen e tyre?

Donald Lambro: Presidenti do të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatët tanë evropianë. Kjo do të jetë shumë e vështirë me dy vende, Francën dhe Gjermaninë që ishin kundër nesh për luftën në Irak por që kanë interesa të përbashkëta me ne në tregëti dhe po ndihmojnë tani në misionet stërvitore të ushtarëve irakian. Vizita e presidentit në Evropë do të jetë padyshim një përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve që mendoj se po riparohen. Sekretarja e re e shtetit Condoliza Rice mendoj se do të ketë një strategji tjetër më agresive për tu afruar me aleatët tanë dhe për të gjetur fusha të përbashkëta bashkëpunimi. Terrorizmi nga ana tjetër është kërcënues si për ne edhe për Evropën. Mendoj se do të shohim një vlerësim tjetër dhe më tepër bashkëpunim nga aleatët evropianë dhe aleanca e Natos do të punojë më shumë në këtë drejtim. Mendoj se do të shohim më shumë bashkëpunim në fushën e tregëtisë për të pakësuar barrierat e eksport-importeve. Ekonomia amerikane u rrit 4 përqind ndërkohë që Evropa pati një rritje të dobët ekonomike. Mendoj se presidenti do të shohë mundësinë e bashkëpunimit më të madh në këto fusha.

XS
SM
MD
LG