Lidhje

Presidenti i AMBO-s: Punimet pritet të fillojnë në vitin 2006 - 2005-01-18


Presidenti i projektit AMBO që shpreson të ndërtojë naftësjellësin nga Bullgaria në Shqipëri, thotë se punimet pritet të fillojnë në vitin 2006. Zoti Ted Ferguson tha në një intervistë me Zërin e Amerikës, se përveç përfitimeve financiare, naftësjellësi do të sigurojë hapjen e vendeve të punës në Shqipëri. Zoti Ferguson tha gjithashtu se mendohet që një firmë, pjesë e kompanisë së fuqishme amerikane Halliburton, do të marrë përsipër anën inxhinierike të projektit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ferguson, sa mendoni se do të jetë sasia e naftës që do të kalojë përmes naftësjellësit nga Bullgaria në Shqipëri, që do të shkojë pastaj në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet e Evropës Perëndimore? Çfarë interesi kanë kompanitë e mëdha të naftës në këtë drejtim?

Ted Ferguson: Nëse marrim në konsideratë që nafta që do të vijë në Detin e Zi dhe do të duhet të kalojë tranzit nga ngushtica e Bosforit që tani deri në vitin 2008 është 100 milionë tonë në vit, sipas përllogaritjeve tona ne do të jemi në gjendje të kalojmë nga naftësjellësi ynë një të tretën e kësaj sasie, rreth 35 milionë tonë në vit, nga Burgasi në Vlorë dhe kjo do të përbënte rreth 33 për qind të naftës së Detit të Zi. Ky nuk është një naftësjellës rajonal, pasi sjell naftë të papërpunuar nga Kaspiku në vendet perëndimore dhe dy konsumatorët më të mëdhenj, në Perëndim janë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Veriperëndimore, pasi ato janë importuesit më të mëdhenj të naftës dhe kanë nevojë një burim të ri nga ta marrin atë.

Zëri i Amerikës: A ka plane qeveria amerikane të ndihmojë në financimin e këtij projekti? A keni pasur takime këtu në Washington që kanë patur këtë qëllim gjatë vizitës suaj?

Ted Ferguson: Gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi patur takime me institucionet financiare qeveritare këtu në Washington, kryesisht me OPIC-un, Korporata për Investimet Private jashtë Shteteve të Bashkuara dhe me bankën Amerikane të Eksport-Importeve. Ata na kanë siguruar që nëse ne i plotësojmë të gjitha kriteret e tyre, do të na ndihmojnë duke mbuluar pjesën e huasë për paratë që na duhen. Kostoja e përgjithshme e projektit parashikohet të jetë 1,2 deri në 1,5 miliardë dollarë, kështuqë ne do të na duhen rreth 900 milionë dollarë hua dhe pjesa tjetër do të sigurohet nga investitorët privatë. Shqetësimi ynë kryesor tani është të sigurojmë me kompanitë e prodhimit të naftës dhe transportuesit e tyre që të kalojë sa më shumë naftë përmes naftësjellësit.

Zëri i Amerikës: Ndërtimi i këtij naftësjellësi është shtyrë vazhdimisht gjatë viteve. Kur do të fillojë ndërtimi i naftësjellësit?

Ted Ferguson: Para së gjithash nuk do ta pranoja që ka patur vonesa, pasi këto projekte të mëdha ndërkombëtare duan kohë të përgatiten. Kjo kohë u diktua nga prodhimi i naftës në Kaspik, që duke u rritur vazhdimisht e ka bërë të rrezikshme që të kalojë vetëm përmes ngushticës së Bosforit. Mbase duhet të kishim filluar para dy vjetësh, por tani jemi këtu. Me nënshkrimin e marrëveshjes nga të treja vendet, besoj se data për fillimin e punimeve do të përcaktohet brenda tre muajve të ardhshëm, dhe në vitin 2006 planifikojmë fillimin e ndërtimit. Naftësjellësi duhet të jetë gati të fillojë të funksionojë në vitin 2008.

Zëri i Amerikës: Çfarë përfitimesh ekonomike do të kenë vendet e përfshira në këtë projekt, veçanërisht Shqipëria, jo vetëm nga ana financiare, por edhe në drejtim të punësimit, ose përmirësimit të portit të Vlorës, ose për shembull në Shqipëri është problem energjia elektrike...

Ted Ferguson: Sigurisht modernizimi i portit të Vlorës, është parashikimi më i natyrshëm. Do të ketë një strukturë të re atje. Gjithashtu Ministria e Energjisë ka plane për një stacion të ri të energjisë elektrike. Do të jetë gjithashtu edhe terminali ynë për naftën, kështuqë do të ketë një hov zhvillimi të infrastrukturës në Vlorë. Vetë ndërtimi i naftësjellësit, do të kërkojë hapjen e 2 -3 mijë vendesh pune në ndërtimin e tij. Pastaj do të ketë edhe kompani shërbimi që do të jenë të lidhura indirekt me punën në naftësjellës. Kur të fillojë funskionimi, do të ketë vende pune të përhershme për naftësjellësin dhe terminalin. Do të ketë të ardhura për qeverinë, nga konsumi i energjisë elektrike, do të paguhen taksat e fitimeve nga kompania dhe nga përvoja që kemi kur projekte të tilla vihen në jetë, zhvillohen edhe industri të tjera. Fitimet e drejtpërdrejta për Shqipërinë, i llogarisim të jenë rreth 30 milionë dollarë në vit.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri do të ketë zgjedhje këtë vit. A mendoni se do të ndikojë situata politike në planet tuaja atje?

Ted Ferguson: Ne kemi kohë që i kemi filluar planet atje dhe që kur filloi i gjithë procesi qeveritë kanë ndryshuar disa herë në të trija vendet dhe duhet të them që kemi patur mbështetjen e secilës qeveri, në secilin nga vendet, veçanërisht në Shqipëri. Shqipëria e mbështet këtë projekt. Kushdo që t’i fitojë zgjedhjet, jam i sigurt që do të dojë që projekti të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë president i kompanisë Brown and Root që ka qenë nënkontraktore për firmën Halliburton. Ajo kompani ka ndërtuar kampin Bondsteel në Kosovë. A ka ndonjë lidhje mes pozicionit atje dhe pozicionit të tanishëm në projektin AMBO?

Ted Ferguson: Jo edhe aq. Për 30 vjet unë kam patur një pozicion të rëndësishëm në kompaninë BP. Pasi u largova që atje, kalova në kompaninë Brown and Root, për tre vjet dhe gjatë asaj periudhe punova shumë në atë rajon, por veçanërisht në Rusi dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, në hartimin e strategjive për gjetjen e rrugëve të eksportit të naftës dhe kështu kontaktova për herë të parë Vuko Tashkovicin, themeluesin e AMBO-s. Përveç kësaj kur kishin nevojë që të gjenim një firmë inxhinierike për studimin mundësive të realizimit të projektit, iu drejtuam kompanisë Brown and Root, sot KBR, që në fakt nuk është nënkontraktore, por pjesë e Halliburtonit. Shpresojmë që Brown and Root të jetë kompania jonë kryesore inxhinierike, me përparimin e projektit.

XS
SM
MD
LG