Lidhje

Ilaçet Statin; Kanceri; Alcajmeri


Ilaçet Statin

Në Shtetet e Bashkuara mes rretheve shkencore vazhdojnë debatet në se ilaçet kundër kolesterinës duhet të shiten në farmaci njësoj si aspirina, pa patur nevojë për recetë nga mjeku. Ilaçet statin kundër kolesterinës janë mes prodhimeve më të reklamuara. Ilaçe të tilla merren nga të paktën 16 milionë amerikanë. Disa shkencëtarë thonë se ndoshta nga të mirat e këtyre ilaçeve mund të përfitojnë 20 milionë amerikanë të tjerë që tani nuk janë në gjendje t’i marrin për arsye të kohës dhe shpenzimeve që nevojiten për të shkuar tek mjeku dhe për të marrë një recetë. Komisioni qeveritar tani po diskuton nëse ilaçi mevakor, ilaç i prodhimit të hershëm dhe më i përdorshmi i llojit statin, duhet të shitet pa recetë. Sipas Doktor Antonio Goto, pranë kolegjit mjekësor Kornell, kjo është mjekësia e së ardhmes, kur ilaçet do të shiten pa recetë dhe pacientët do të tregohen më të përgjegjshëm në marrjen e tyre. Në Britani njerëzit mund të blejnë në farmaci pa recetë ilaçe për uljen e nivelit të kolesterinës. Por më parë ata duhet të këshillohen me farmacistin. Në Shtetet e Bashkuara, ideja është që ilaçe të tilla të shiten pa asnjë kufizim ashtu si aspirina, motrini e advili. Disa mjekë shqetësohen se një shitje e tillë do t’i nxisë njerëzit të marrin statin edhe atëherë kur nuk kanë nevojë ose ta marrin atë në sasira të tepruara, duke shtuar rrezikun e dëmtimit të muskujve dhe mëlçisë. Doktor Steven Nissen pranë klinikës së Klevelandit thotë se këto janë ilaçe serioze dhe në se një person merr doza të tepruara statini, për shkak se do t’i mungonte këshilla e mjekut pasi ilaçi do të blihej pa recetë, atëherë shëndeti i tij do të dëmtohej rëndë ose për ndonjë tjetër që do kishte nevojë për ilaçe më të forta, ilaçi që mund të blihej pa recetë nuk do të bënte ndonjë efekt. Ndërsa Doktor Brian Storm pranë universitetit të Pensilvanisë thotë se në këtë situarë, pacienti nuk do ta dinte nëse ilaçet janë të efektëshme, prandja njerëzit kanë nevojë për ndihmën e mjekut për të parë në se ilaçi jep rezultat. Ndryshe nga ilaçet e tjera, ilaçet për uljen e nivelit të kolesterinës duhet të merren vazhdimisht e gjatë gjithë jetës.

Mishi dhe kanceri

Studimet tregojnë se përdorimi i përditshëm për një kohë të gjatë i mishit të gjedhit mund të shtojë rrezikun e prekjes nga kanceri i zorrës së trashë. Amerikanëve u pëlqen shumë mishi i lopës, në formë bifteku apo qoftesh dhe i hanë ato jashtë mase. Por përdorimi i shpeshtë e me sasi i këtij lloj mishi, për shembull një herë në ditë, për vite me radhë, mund të shtojë rrezikun e kancerit në zorën e trashë. Doktor Michael Thun thotë se këto të dhëna u vunë re gjatë një studimi që ai dhe kolegët pranë shoqatës së sëmundjeve të kancerit zhvilluan me rreth 150 mijë vetë të moshave 50 deri 74 duke ndjekur nga afër gjendjen e tyre shëndetsore dhe zakonet e të ngrënit. Pjesmarrësit në studim mbushën formularët me pyetjet përkatëse në vitin 1982 dhe në vitin 1992 dhe gjendja e tyre shëndetësore u vëzhgua nga ekspertët deri në vitin 2001. Doktor Michael Thun thotë tek njerëzit që në të dyja formularët kishin thënë se kishin konsumuar mish shumë dhe vazhdimisht, rrezikoheshin 50 përqind më shumë nga kanceri i zërës së trashë. Në mishrat që përbëjnë rrezik janë mishi i lopës, i derrit dhe i qingjit si dhe ato të përpunuara. Përdorimin e mishit rreth 9 herë në javë, shkencëtarët e quajnë konsumim të lartë. Studimi tregoi gjithashtu se mishi i pulës dhe peshkut përbëjnë më pak rrezik për zhvillim të kancerit të zorës së trashë. Doktor Michael Thun shton se sipas studimit konsumimi më i madh i mishit të pulës dhe peshkut është gjë e mirë për shëndetin, krahas pakësimit të konsumimit të mishit të lopës qingjit deri në 1 herë në javë. Sigurisht që në raste festash e gëzimi, ngrënia i një bifteku apo bërxolle nuk do të kishte ndonjë ndikim në shtimin e rrezikut të kancerit, por nëse ky lloj mishi është ushqimi kryesor i dijetës për një kohë të gjatë, një gjë e tillë mund të sjellë rrezik.

Alcajmeri

Shkencëtarët thonë se një lloj bime e quajtur Kurri që përdoret në Indi kundër shqetësimeve në stomak, puçrave dhe sëmundjeve të mëlçisë, ndoshta mund të jetë e efektëshme për trajtimin e alcajmerit. Kurri përdoret për gatim në Indi dhe shkencëtarët thonë se marrja e një përbërjeje të saj në sasi të mëdha mund të ngadalësojë procesin e sëmundjes së alcajmerit. Mjeku Greg Kole pranë universitetit të Kalifornisë, i dha minjëve në laborator një ushqim me përmbajtje të lartë Kurkumin, një substancë e verdhë që gjendet në erëzën djegëse Turmerik. Minjtë kishin të zhvilluar në trurin e tyre pllakëza të zeza ngjashme me ato që zhvillohen në trurin e njeriut të prekur nga alcajmeri.Gjatë eksperimentit, shkencëtarët vunë re se këto pllakëza tek minjtë u pakësuan. Në studimin e tyre, mjekët thonë se gjatë provave në laborator vunë re se kurkumini mund të shkatërrrojë pllakëzat e qalcajmerit edhe në trurin e njeriut. Kjo lëndë, grumbullohet rreth këtyre pllakëzave dhe i shpërbën ato dhe i parandalon të formohen përsëri. Ndërsa, neurologu John Ringman po merret me studimin e efekteve të kurkuminit tek njerëzit. Ai shpreson se kjo substancë do të jetë më e efektëshme sesa ilaçet e tjera kundër alcajmerit, pasi përmban elementë kimikë të disa ilaçeve të marra së bashku që aktualisht janë në përdorim kundër kësaj sëmundjeje. Por doktor Ringman thotë se shkencëtarëve u duhet më parë të përcaktojnë në se organizmi i njeriut është në gjendje të përballojë dosa të larta kurkumini, e cila është 20 herë më e lartë sesa doza e përditëshme që një person merr gjatë ushqimit, në se në dietën e tij përdor kurkumin dy herë në ditë.

XS
SM
MD
LG