Lidhje

Mandati i dytë i Presidentit Bush: Profili i Nënpresidentit Cheney - 2005-01-18


Nënpresidenti Dick Cheney do të shoqërojë presidentin Bush gjatë betimit më 20 janar për mandatin e tij të dytë. Presidenti Bush është shprehur se Dick Cheney është nënpresidenti më i mirë që ka patur ndonjëherë vendi.

Gjatë fushatës zoti Bush u shpreh se dëgjoi sesi demokratët zgjodhën një kandidat të ri dhe më karizmatik për të konkuruar me zotin Cheney por presidenti tha se zgjedhjet nuk ishin konkurs bukurie.

“Unë po kandidoj përkrah një njeriu të mirë. Fushata jonë quhet Bush-Cheney dhe jam krenar që kam përkrah Dick Cheney. E pranoj para jush se ai nuk është më i pashmi në këtë garë. Nuk e zgjodha për të bukur por për ndershmërinë dhe ekpresiencën që ka. E zgjodha pasi ai mbaron punë”.

Richard Bruce Cheney e ka realizuar këtë në Washington për më shumë se 40 vjet. Ai u ngri nga një këshilltar i thjeshtë në administratën e Nixonit në një nga shefat më të rinj të personelit të Shtëpisë së Bardhë në moshën 34 vjeçare për presidentin Gerald Ford.

Zoti Cheney shërbeu 10 vjet në kongres si përfaqësues i shtetit të Wyoming si një nga anëtarët konservatorë më të zotë të partisë republikane.

Ai ishte sekretar i mbrojtjes për presidentin Goerge Herbert Walker Bush gjatë luftës së Gjirit Persik në vitin 1990 dhe ndihmoi në ndërtimin e një koalicioni që ai tha gjatë asaj kohe se jo vetëm që largoi Saddam Husseinin nga Kuvajti por që shpëtoi edhe Arabinë Saudite.

“Megjithë suksesin që kemi arritur deri tani është shumë e rëndësishme të mendojmë për konkluzionin përfundimtar dhe në analizën përfundimtare Saddam Hussini të detyrohet të kthehet mbrapsht në Bagdat me kokën ulur”.

Dhjetë vjet më pas eksperienca e zotit Cheney me udhëheqësin irakian e vendosi atë në krye të fushatës së administratës për të rrëzuar Saddam Husseinin nga pushteti dhe për ta lidhur atë me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Washington.

“Planet e Saddam Husseinit për armët e shkatërrimit në masë përbëjnë rrezik të madh jo vetëm për fqinjët e tij por edhe për Shtetet e Bashkuara. Regjimi i tij ndihmon dhe mbron terroristët përfshirë anëtarët e al-Qaidës”.

Por në Irak, nuk u gjet asnjë armë e shkatërrimit në masë. Kur kjo çështje u shtrua në fushatën e 2004ës, nënpresidenti Cheney mori pozicion sulmues duke thënë se demokratët që kritikonin presidentin kishin patur të njejtat informacione dhe kishin arritur në të njëjtin përfundim rreth armëve të Irakut.

Disa demokratë thonë se nënpresidenti ka shumë ndikim në Shtëpinë e Bardhë veçanërisht me një president që erdhi në këtë post me shumë pak përvojë në politikën e jashtme. Por analisti John Frotier i Institutit American Enterprise thotë se sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe lufta kundër terrorizmit që pasoi e ka përjashtuar teorinë e një presidenti kukull që komandohej nga zoti Cheney.

“Këtë teori dëgjuam në vitin 2000, se Cheney kishte shumë eksperiencë në politikën e jashtme të Uashingtonit. Por 11 shtatori çimentoi idenë se presidenti Bush është një udhëheqës i fuqishëm. Cheney është padyshim një person shumë i rëndësishëm, ndoshta këshilltari më i rëndësishëm i presidentit dhe njeriu që e ndihmon më shumë atë për çështjet e ditës dhe për luftën kundër terrorizmin. Pra mendoj se Cheney është një person i rëndësishëm por që nuk e lë në hije presidentin Bush”.

Para se të hynte në grupin e punës së presidentit, zoti Cheney fitoi më shumë se 44 milion dollarë si drejtues i kompanisë së naftës Halliburton. Kjo firmë fitoi kontrata me shumë 18 miliardë dollarë në Irak disa nga të cilat po hetohen nga revizorët e Pentagonit për më shumë se 16 milion dollarë mbifaturime për furnizimin e trupave.

Nënpresidenti tha se ai nuk ka të bëjë me procesin e kontraktimit të kompanisë Halliburton.

“Asnjë njeri nuk ka nxjerr një dokumet që të tregojë se është bërë ndonjë gabim”.

Zoti Cheney luan rolin e tij në planet konservatore të presidentit për abortin, faljet në shkolla dhe kontrollin e armëve.

Por nënpresidenti besnik nuk është dakort me shefi e tij në të paktën një çështje sociale: martesën e homoseksualëve.

“Unë dhe gruaja ime kemi një vajzë homoseksuale, pra është një çështje të cilën e njohim mirë”.

Vajza e Cheneyt, Mary ndihmoi në fushatën presidenciale.

“Përsa i takon kësaj çështje pikëpamja ime është se liria nënkupton liri për këdo”.

Zoti Cheney mendon se vetë shtetet duhet të kenë të drejtën të vendosin për këtë çështje. Kjo nuk përputhet me thirrjen e presidentit për ndryshimin e kushtetutës për të ndaluar martesat e homoseksualëve. “Preferenca ime për këtë çështje është ajo që ka qënë por presidenti është ai që formulon politikat bazë për administratën”.

Në mandatin e dytë nënpresidenti pritet të ndihmojë në politikën e administratës për energjinë, përfshi shpimet për naftë në një rezervuar të Alaskës.

XS
SM
MD
LG