Lidhje

OKB, strategji e re për luftën kundër varfërisë - 2005-01-19


Kombet e Bashkuara bënë të njohur një paketë propozimesh që synojnë të pakësojnë brenda dhjetë vjetësh përgjysëm numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri. Nga selia e OKB-së në New York, korrespondenti ynë, Peter Heinlein, njofton se këto propozime janë hartuar nga një komision i pavarur, ku janë përfshirë ekspertë të njohur në fushën e zhvillimit.

Këto propozime po fillojnë të quhen si strategjia më e plotë e propozuar ndonjëherë për të luftuar varfërinë, urinë dhe sëmundjet.

Para pesë vjetësh, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, caktoi të ashtuquajturat Objektivat e Mijëvjeçarit për Zhvillimin, me synimin për të përmirësuar deri në vitin 2015 të jetët e, të paktën, 1 miliard të njerëzve në vendet e varfëra.

Por, pesë vjet më vonë, konstatohet se janë bërë pak përparime. Prandaj, një grup prej 265 ekspertësh të njohur në fushën e zhvillimit u mblodhën për hir të Projektit të Mijëvjeçarit për të hartuar një plan të qartë për arritjen e këtyre objektivave.

Drejtuesi i grupit, ekonomisti Jeffrey Sachs, e quan planin praktik dhe të përballueshëm.

“Nuk janë ambicie globale jo realiste. Fjala, në të vërtetë, është të identifikohen investime dhe ndërhyrje të veçanta përgjatë një game të gjerë fushash që mund ta ndryshojnë praktikisht gjendjen, të shpëtojnë nga vdekja miliona njerëz, prandaj thelbi i rekomandimeve tona është një paketë masash praktike”.

Në një deklaratë për shtyp të Projektit të Mijëvjeçarit thuhet se 22 vendeve të pasura do t’u kërkohet të dhurojnë në vitin 2006 gjithsej 135 miliardë dollarë ndihma për zhvillimin. Kjo shumë është 48 miliardë dollarë më e madhe se angazhimi i tanishëm.

Profesor Sachs thotë se rreth 40 për qind e shifrës së përgjithshme do të sigurohej nga Shtetet e Bashkuara. Në faqen elektronike të Agjencisë Amerikane të Zhvillimit thuhet se kërkesa për buxhetin e vitit 2005 është 8,8 miliardë dollarë.

Shifrat e Profesor Sachs tregojnë se që të plotësojnë objektivin, Shteteve të Bashkuara do t’u duhet të trefishojnë deri vitin tjetër buxhetin për ndihmën në fushën e zhvillimit.

“Mesatarisht, të 22 vendet deri në vitin 2006 duhet të japin 0,46 të prodhimit vjetor të brendshëm. Shtetet e Bashkuara deri tani kanë dhuruar vetëm 0,15 për qind të prodhimit vjetor të brendshëm. Si një ekonomi 12 trilionë dollarëshe, që të mund të realizonin kërkesat e Projektit të Mijëvjeçarit, Shteteve të Bashkuara u duhet të rrisin fondet për zhvillimin me mbi 30 miliardë dollarë deri në vitin 2006”.

Një drejtues tjetër i projektit, drejtori i Organizatës Botërore për Zhvillim, Mark Malloch Brown, tregoi optimizëm të përmbajtur lidhur me mundësinë që Kongresi Amerikan të bindej për miratimin e kërkesave të tilla buxhetore. Megjithatë ai theksoi se administrata e Presidentit Bush i ka shtuar ndjeshëm shpenzimet për ndihmat amerikane dhe tha se beson që taksapaguesit amerikanë do të ishin të gatshëm për shtimin e ndihmave.

“Shtetet e Bashkaura janë tepër të prekura, veçanërisht opinioni publik amerikan, posaçërisht përsa u përket fushave të shëndetësisë dhe arsimit publik. Kur është fjala për ngritjen e këtyre sistemeve-bazë për të varfër, në Ameirkë vërehet një reagim i menjëhershëm pozitiv, si ai që u vu re kohët e fundit pas goditjes së cunamit”.

Raporti i Projektit të Mijëvjeçarit prej 3 mijë faqesh, me titull ”Studime mbi Zhvillimin”, iu paraqit dje Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Annan.

Përveç rekomandimit për shtimin e ndihmës nga vendet e pasura, raporti u kërkon vendeve të varfëra të zhvillojnë strategji kombëtare për plotësimin e objektivave të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin.

Ndër 6 zgjidhjet me efekt të shpejtë që rekomandon raporti, është dërgimi i kanupjerave për pengimin e mushkonjave dhe ilaçe kundër malaries për fëmijët, si dhe ilaçe frenuese kundër SIDA-s për pacientët me virusin HIV. Autorët e raportit thonë se masa të tilla mund të ndërmerren brenda vitit, gjë që do të përbënte një fillim të mbarë drejt plotësimit të objektivit të Projektit për pakësimin e numrit të të sëmurëve me SIDA e malarje në vendet e varfëra.

XS
SM
MD
LG