Lidhje

Presidenti Bush përgatitet për të bërë betimin për mandatin e dytë  - 2005-01-19


Ndërsa përgatitet për të bërë betimin për mandatin e dytë, George W. Bush sjell ndër mend vitet e tij të fundit në postin e presidentit dhe detyrat e shumta që ka përpara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës i hedh një vështrim jetës dhe arritjeve të presidentit të 43 të Shteteve të Bashkuara.

George Bush ka thënë shpesh se gjatë karierës së tij ai është ndeshur me sfida të vështira.

Ai lindi në një familje të pasur, nipi i një senatori, djali i një njeriu që do të bëhej president. Zoti Bush ndoqi shkollat më të mira, përfshi Harvardin dhe Yalin, por me rezultate jo të shkëlqyera dhe përpjekjet e fillimit për të nisur një biznes nuk i ecën.

Ishte vëllai i vogël, Jeb tani guvernator i Floridas, për të cilin thuhet se kishte talent për të pasur sukses në politikë. Por për çudinë e shumë njerëzve, George ishte i pari që fitoi një pozitë të lartë politike.

Ai tërhoqi vëmendjen e aktivistëve republikanë në Teksas në fillim të viteve 1990 si bashkëpronar i një skuadre bejzbolli. Ata panë se stili i tij miqësor, në të njëjtën kohë i vendosur, do të tërhiqte votuesit. Ata patën të drejtë.

Në vitin 1994 George W. Bush habiti disa instanca politike kur fitoi ndaj guvernatores demokrate të Teksasit, Ann Richards. Gjashtë vjet më vonë ai hyri në garë për postin e mbajtur nga i ati i tij, atë të presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Dukej një betejë tepër e vështirë për kandidatin e një partie opozitare që konkuronte për këtë post në kohë paqeje dhe begatie. Gjatë këtyre përpjekjeve pati vështirësi, përfshi zbulimin e faktit se zoti Bush kishte patur njëherë probleme të shumta me alkoolin.

"Dikush ka zbuluar se unë ndalova pijen. Dhe dikush më pyeti përse hoqa dorë dhe unë i thashë sepse po pija shumë."

Një dështim personal që mund të ishte bërë pengesë u shndërua papritur në diçka me vlerë. Pas skandaleve të administratës së presidentit Clinton, votuesit duket se respektonin ndershmërinë e zotit Bush rreth pijes.

Duke premtuar të kthente moralin në Shtëpinë e Bardhë, ai morri mbështetjen duke e larguar vëmendjen nga ekonomia e fuqishme dhe duke e vënë atë tek etika personale.

"Kur të vë dorën mbi Bibël, unë betohem jo vetëm të zbatoj ligjet e këtij vendi, por do të betohem të ruajë nderin dhe dinjitetin e postit për të cilin do të zgjidhem, zoti më ndihmoftë", tha zoti Bush.

Ai fitoi një nga zgjedhjet më të debatueshme në historinë amerikane, duke mundur me pak vota kandidatin demokrat Al Gore. Në fillim të mandatit të parë, popullariteti i tij ishte i ulët dhe presidenti nuk arriti të gjallëronte publikun me propozimet e tij.

Por gjithçka ndryshoi me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Lufta kundër terrorizmit i dha presidencës së tij një rast të fortë për t’u përqëndruar dhe për të marë një drejtim të caktuar. Pak ditë pas sulmit më të madh terrorist ndonjëherë në Amerikë, ai qëndroi në mes të rrënojave të mbetura nga kullat e qendrës botërore të tregëtisë në New York. Ai mori një altoparlant nga një punonjës i shpërtimit dhe me pak fjalë bashkoi kombin.

"Unë ju dëgjoj juve. Gjithë bota ju dëgjon juve edhe njerëzit që i rrëzuan këto godina do të dëgjojnë prej nesh së shpejti."

Presidenti kishte në plan të shpallte luftë ... dhe kushtet do t’i përcaktonte ai vetë ... së pari në Afganistan e më pas në Irak.

"Nuk do të pres që rreziku të shtohet e të na afrohet."

John Fortier është analist politik në Institutin American Enterprise.

"Zoti Bush nuk ishte president i politikës së jashtme, pasi nuk kishte shumë përvojë. Duke ardhur nga Teksasi, edhe gjatë fushatës presidenciale nuk pati shumë debate për politikën e jashtme. Por përgjigja e parë, përgjigja spontane në gërmadhat e qendrës botërore të tregëtisë, reagimi dhe fjalimet në kongres treguan një tjetër lloj force të presidentit."

Disa panë mungesë takti dhe mungesë vullneti për të bërë kompromis. Të tjerë e panë atë si një njeri me besim që udhëhiqej nga instinktet e tij dhe e mbante fjalën. Po ta pyesësh presidentin për karakterin e tij, ai të përgjigjet me imazhe nga shteti i tij i dashur.

"Në rafshinat e Teksasit për herë të parë mësova karakterin e vendit tonë: këmbënguljen, ndershmërinë dhe shpresën për të ardhmen."

Stephen Hess i institutit Brookings ka kaluar dekada të tëra duke studiuar dhe shkruar mbi presidencën amerikane. Ai thotë se stili i George Bushit i ka rrënjët si në fushat e Teksasit edhe në zyrat e korporatave të qyteteve të këtij shteti.

"Stili i tij bazohet fuqishëm në dhënien e saktë të detyrave, në mbajtjen e njerzve përgjegjës, në shpërndarjen e përgjegjësive. Ai ka pasur një objektiv të qartë, madje disa thonë vizion, të asaj që do të arrijë."

Presidenti do të flasë për vizionin e tij në fjalimin e inagurimit. Ndërsa i ati i tij fitoi vetëm një mandat, George W. Bush do të ketë dy mandate për të realizuar vizionin e tij dhe për të lënë gjurmë në historinë amerikane.

XS
SM
MD
LG