Lidhje

Izraeli merr masa për t’u mbrojtur nga sulmet e ekstremistëve palestinezë - 2005-01-21


Forcat palestineze të sigurisë filluan të vendosen në pozicione strategjike në Rripin e Gazës dhe Presidenti palestinez Mahmud Abbas po planifikon një tjetër raund bisedimesh me forcat ekstremiste të armatosura, që synojnë t’i japin fund sulmeve kundër Izraelit.

Udhëheqësi palestinez thuhet se po bën përparim në negociatat e tij. Një tjetër takim me udhëheqësit Hamas dhe të Xhihadit Islamik është në plan të zhvillohet sot më vonë.

Rreth 3 mijë forca speciale policore palestineze janë vendosur në qytetet e Gazës veriore, ku ato e kaluan ditën me inspektimin e automjeteve që shkojnë drejt Izraelit dhe me patrullimin e rajoneve kufitare që përdoren nga ekstremistët për të goditur me predha në territorin izraelit.

Një dislokim i dytë parashikohet të bëhet brenda dy ditëve të ardhshme, kur forcat të dërgohen në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Udhëheqësit palestinezë thonë se synimi i i dislokimit është të kthehet rendi publik dhe t’i jepet fund gjendjes së kaosit dhe mungesës së ligjit.

Zyrtarët izraelitë po vlerësojnë përpjekjet palestineze të sigurisë. Dislokimi i sotëm palestinez konsiderohet si hapi i parë në ripërtëritjen e bashkëpunimit për çështje të sigurisë mes Izraelit dhe administratës së Presidentit të ri të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

XS
SM
MD
LG