Lidhje

Baker: Iraku do të jetë përparësia kryesore e Presidentit Bush gjatë mandatit të dytë - 2005-01-21


Ish-sekretari amerikan i Shtetit James Baker thotë se Iraku do të jetë përparësia kryesore e Presidentit Bush gjatë mandatit të tij të dytë presidencial dhe se suksesi do të varet së tepërmi nga zgjedhjet e planifikuara për në fund të muajit. Duke folur në Universitetin Rice të Hustonit, zoti Baker, i cili ka qenë Sekretar i Shtetit kur president ishte George Herbert Bush, babai i presidentit aktual, zoti Baker tha se paqja midis izraelit dhe paletinezëve dhe përpjekjet për të ndalur përhapjen e armëve bërthamore janë sfida të tjera të rëndësishme për presidentin.

Megjithëse gjendja në Irak vazhdon të jetë e rrezikshme dhe e vështirë, zoti James Baker thotë se ka edhe arsye për të patur shpresë për arritjen e suksesit në Irak.

"Pjesa më e madhe e vendit po rindërtohet. Forcat irakiane të sigurisë po stërviten. Po organizohen partitë politike. Ka përparim më të ngadaltë nga sa kishin shpresuar shumë nga ne, por përparim ka."

Zoti Baker thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të tërhiqen nga Iraku, dhe se edhe ata që mund të mos kenë qenë dakord me luftën për përmbysjen e udhëheqësit irakian Saddam Hussein, tani duhet të mbështesin synimin e krijimit të një vendi të qëndrueshëm dhe me paqe.

Ai thotë se zgjedhjet e 30 janarit do të jenë një ngjarje e rëndësishme në këtë proces.

"Në se nga zgjedhjet do të dilte një asamble përfaqësuese, e pranueshme për shumicën e irakianëve, një lloj qeverisjeje konsensuale, kjo do të pakësonte mbështetjen popullore për kryengritësit dhe do të shtohej mundësia për forca paqeruajtëse shtesë dhe një mbështetje më të madhe nga pjesëtarë të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare."

Zoti Baker thotë se një Irak i qëndrueshëm do të varej gjithashtu nga rigjallërimi i procesit të paqes midis Izarelit dhe palestinezëve. Ai thotë se administrata e presidentit Bush duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë për rifillimin e negociatave, inkurajimin e qevrisë së re të porsazgjedhur palestineze për të hequr dorë plotësisht nga terrorizmi, dhe në të njëtjën kohë të këmbëngulë që Izraeli t’i heqë pengesat ndaj procesit të paqes.

"Izraeli duhet të përgatitet për rifillimin e negociatave të vërteta për paqen, pa kërkuar që të gjitha aktivitetet terroriste të ndalin para fillimit të bisedimeve. Të kërkosh që të mos ketë asnjë veprim terrorist paraprakisht, në fakt kjo do t’i jepte mundësinë terroristëve të ndalonin fillimin e negociatave të paqes."

Ish-sekretari i Shtetit, i cili është edhe një mik i ngushtë i familjes Bush, thotë se kërcënimi i prodhimit të armëve bërthamore në Iran dhe Korenë e Veriut do të jetë sfida tjetër e madhe e presidentit Bush gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Ai e porosit presidentin të mos i hyjë bisedimeve të gjata, gjë që do t’i lejonte këto vende të vazhdonin ndërtimin e aftësisë së tyre bërthmamore.

Zoti Baker thotë se ndërhyrja ushtarake nuk do të ishte zgjedhja e mirë për secilin nga këto raste, por ai shton se kërcënimi me forcën duhet të vazhdojë. Ai thotë se mossuksesi për t’i ndaluar këto vende që të prodhojnë armë bërthamore mund të shkaktonte një garë botërore armësh dhe do të rriste mundësitë që terroristët t’i siguronin armë të tilla.

XS
SM
MD
LG