Lidhje

Dhjetra mijëra amerikanë kishin ardhur në Washington me rastin e inaugurimin të Presidentit Bush - 2005-01-21


Dhjetra mijëra njerëz nga mbarë Shtetet e Bashkuara kishin ardhur në Washington, për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit George Bush. Për disa prej tyre, emocionet ishin të mëdha, ngaqë ishte hera e parë që merrnin pjesë në një ceremoni të tillë, disa të tjerë kishin ardhur thjeshtë nga që dita e djeshme kishte për ta një domethënie të veçantë historike.

Një ndjenjë e lartë entuziazmi mbizotëronte dje në Washington, ndërsa njerëzit qëndronin në rreshta të gjatë për të parë paradën që u zhvillua në Shëtitoren Pensilvania të kryeqytetit. Kathy Sunday kishte ardhur për të parë paradën me familjen e saj nga Virginia.

"Mendoj se dita e sotme është një festim i demokracisë sonë dhe e presidentit të ri, qoftë ai demokrat, apo republikan. Është dita kur njerëzit bashkohen dhe festojnë për vitet e ardhshme të një Presidenti në Shëpinë e Bardhë," thotë kjo pjesëmarrëve.

Për Marlene dhe Howard Mitchell, kjo është hera e parë që marrin pjesë në një inaugurim. Ata erdhën nga Teksasi për të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë dhe për të parë nipin e tyre në paradë. Për ta kjo cermoni kishte një kuptim të veçantë.

"Mendoj se vetëm këtu në Amerikë kemi një kalim paqësor nga një administratë tek tjetra, se ne amerikanët jemi të gjithë për lirinë dhe dita e sotme ka të bëjë pikërisht me këtë. Kjo ngjarje gjithashtu i lejon njerëzit që duan të protestojnë, se ata kanë lirinë e shprehjes atë që duan të thonë," thonë zonja dhe zoti Mitchell.

Në rrugën ku u zhvillua parada kishte njerëz, të cilët ishin të lirë të thonin se nuk e mbështesin Presidentin Bush. Ndërsa autokolona me makinën e presidentit kalonte, demonstruesit thonin me zë të lartë parrulla kundër tij dhe valëvinin parrulla kundër luftës në Irak. Lonnie Frank dhe miqtë e saj nga Pensilvania ishin mes atyre që ndodheshin në zonën e kufizuar për demonstratat. Ata thanë se është e rëndësishme që dëgjohen zërat e protestës kundër administratës së Presidentit Bush.

Nuk do të thoja se shumica e njerëzve këtu janë përkrahës të presidentit. Një pjesë e stolave janë të boshatisura. Pjesa tjetër e njerëzve janë jashtë gardhit të sigurisë, duke qëndruar tek postblloqet, pa mundur të hyjnë, duke krijuar kështu një bllok, për të mos lejuar të dëgjohet protesta, në mënyrë që presidenti të mos i dëgjojë ata që kundërshtojnë idetë e tij.

Protesuesit nuk i shqetësuan aspak Dave Covolevskin dhe nënën e tij Norma nga Marylandi, që kishin ardhur posaçërisht për të parë presidentin Bush.

Ky është një rast i rrallë në jetë. Kur u bë inaugurimi i fundit unë isha jashtë vendit, prandaj përfitojmë këtë herë nga rasti për të dalë dhe për të treguar përkrahjen tonëi.

"Mendoj se kjo është një ditë e mrekullueshme, si për popullin amerikan, edhe për popujt e vendeve të tjera të botës, për të treguar ne jemi të aftë ta bëjmë një gjë të tillë. Unë e mbështes Presidentin dhe i uroj që ai të jetë mirë".

Presidenti dhe Zonja e Parë Laura Bush më vonë u shprehën vlerësimin e tyre mijëra vetëve që kishin dalë për të parë paradën, kur dolën nga limuzina e tyre, duke ecur dhe përshëndetur turmën e njerëzve pranë Shtëpisë së Bardhë.

XS
SM
MD
LG