Lidhje

Presidenti Bush e filloi mandatin e dytë me një shërbesë fetare në Katedralen Kombëtare në Washington - 2005-01-21


Tingujt e zërit të tenorit irlandez Ronan Tynan kumbonin në Katedralen e Washingtonit, ku ishin të pranishëm edhe presidenti dhe zonja e parë Laura Bush, së bashku me vajzat e tyre binjake Barbara dhe Jenna. Në katedrale ishte edhe nënpresidenti Cheney me familjet e tij, anëtarë të Kongresit dhe ambasadorë nga korpusi diplomatik i Washingtonit.

I përndershmi Billy Graham u lut që Zoti të bekojë presidentin Bush dhe nënpresidentin Cheney me fillimin e mandatit të tyre të dytë.

"Katër vitet e tyre të ardhshme ne nuk i shohim dot, por Zoti i sheh. Zoti i di sfidat dhe mundësitë me të cilat ndeshen ata. Lutemi që Zoti t’u japë atyre një mendje të qartë, një zemër të ngrohtë, si dhe qetësi në mes të trazirave, siguri në mes të zhgënjimit."

Shumë udhëheqës klerikë të besimeve të ndryshme folën në shërbesë për eliminimin e përçarjes politike që lanë pas zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Kleriku nga Teksasi Mark Craig foli për vlerat themelore që i afrojnë amerikanët, pavarësisht nga besimet e tyre politike.

"Ne jemi një popull zemërgjerë dhe dashamirës, si dhe një popull me moral. Zemërgjerësia jonë nuk është liberale apo konservatore, por përfaqëson zemrën dhe shpirtin e vërtetë të çdo qytetari amerikan."

Presidenti Bush nuk foli publikisht gjatë shërbesës fetare. Dje, në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit zoti Bush foli për zgjedhjen morale ndërmjet shtypjes, e cila është gjithmonë e dënueshme dhe lirisë, të cilën ai e cilësoi si një zgjedhje përjetësisht e drejtë.

Ai tha se ndikimi i Amerikës është i konsiderueshëm dhe se ai do ta përdorë këtë ndikim me besim për të mbështetur demokracinë dhe për t’i dhënë fund tiranisë në mbarë botën.

Presidenti nuk përmendi me emër sundimtarët e regjimeve jolegjitime, siç i cilësoi ai, dhe nuk foli as për veprime ushtarake në të ardhmen, duke theksuar se liria në radhë të parë nuk është detyrë e armëve.

Presidenti tha se liria duhet të zgjidhet dhe të mbrohet nga qytetarët, dhe u zotua se do të përkrahë ata që jetojnë nën tirani dhe shtypje.

XS
SM
MD
LG