Lidhje

Fjalimi i presidentit Bush nxit reagime të ndryshme - 2005-01-22


Reagimi ndërkombëtar ndaj fjalimit që presidenti Bush mbajti me rastin e inaugurimit dhe premtimit të tij për të përhapur lirinë dhe për t’i dhënë fund tiranisë në botë, ka qenë i përzier.

Premtimi u prit me skepticizëm nga shtypi arab. Presidentit Bush i bëhet thirrje në një numër të madh kryeartikujsh që fillimisht të bëjë më shumë për të ndihmuar popullin palestinez.

Disa aleatë aziatikë e përshëndetën fillimin e mandatit të dytë të Presidentit Bush në detyrë, kurse Koreja e Veriut i dënoi Shtetet e Bashkuara duke i cilësuar si rrënimtare të demokracisë. Presidenti Pakistanez, Pervez Musharraf, premtoi ta vazhdojë mbështetjen për luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian i përshëndetën shenjat se Presidenti Bush mund të përqendrohet tek përpjekjet për të forcuar lidhjet tradicionale të ftohura për shkak të luftës në Irak.

Veprimtaritë prej disa ditësh lidhur me inaugurimin presidencial përfunduan dje, me pjesëmarrjen e Presidentit Bush në një Shërbesë Lutjesh Kombëtare në Uashington. Në këtë shërbesë morën pjesë më shumë se 3 mijë personalitete, zyrtarët të administratës dhe mysafirë. Gjatë ceremonisë u thanë lutje nga anëtarë të klerit të krishterë, hebraik dhe mysliman.

XS
SM
MD
LG