Lidhje

Politika e brendshme e presidentit Bush - 2005-01-22


Presidenti George W. Bush ka përcaktuar një seri nismash ambicioze për mandatin e tij të dytë presidencial. Por megjithëse Partia e tij Republikane kontrollon të dyja dhomat e Kongresit, presidenti përballet me një betejë të vështirë, kur është fjala për sigurimin e mbështetjes së programit të tij legjislativ.

Anketat më të fundit tregojnë se shumica e amerikanëve janë në përgjithësi optimistë lidhur me katër vitet e ardhshme të mandatit të presidentit Bush. Pas fitores së tij në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, Presidenti ka besim se do të mund t’u japë shtytje nismave të guximshme mbi të cilat e bazoi fushatën për rizgjedhje.

Në këto zgjedhje unë kam fituar kapital dhe do ta përdor atë, siç i thashë popullit dhe ju e keni dëgjuar programin tim, për reformën e sigurimeve shoqërore dhe atë të taksave, për ta çuar përpara ekonominë, për arsimin, luftën dhe fitoren e betejës kundër terrorizmit.

Tani presidenti përballet me sfidën e kthimit të ideve në ligje. Rritja ekonomike do të mbetet përparësia kryesore për presidentin. Ulja e taksave ishte mjeti i tij kryesor për çuarjen përpara të ekonomisë gjatë mandatit të parë. E shoqëruar me një ulje historike të interesit, ulja e taksave çoi në një rimëkëmbje modeste të ekonomisë, pas rënies ekonomike që sollën sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Por deficitet buxhetore rekord, lufta në Irak dhe luftimet në Afganistan lenë pak vend për nisma të reja të brendshme. Disa ekonomistë paralajmërojnë se marrja e më tepër huave financiare nga kreditorët e huaj çon në rreziqe të konsiderueshme. Ata mendojnë se deficiti do të dilte jashtë kontrollit në se nuk krijohen të ardhura të reja.

Këshilltarët ekonomikë të presidentit e shohin ndryshe këtë çështje, duke thënë se ulja e taksave stimulon rritjen ekonomike, duke çuar në të ardhura më të mëdha për qeverinë për të paguar deficitin dhe për të financuar programe të reja.

Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje do të varet nga faktorë të vështirë për t’u parashikuar, si çmimet e naftës dhe terrorizmi. Gjatë fushatës për rizgjedhje, presidenti Bush zhvilloi fushatë të fortë në atë çështje që ai besonte se kishte epërsi ndaj rivalit të tij politik: për ta mbajtur vendin të sigurtë nga terrorizmi pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Detyra më solemne për një president amerikan është të mbrojë popullin amerikan. Në se vendi ynë shfaq pasiguri apo dobësi gjatë kësaj dekade, bota do të shkojë drej tragjedisë. Dhe kjo nuk do të ndodhë për sa kohë që unë jam president.

Presidenti Bush veproi menjëherë pas fitores së tij në nëntor, duke marrë masa për fuqizimin e mëtejshëm të sigurisë së atdheut, duke miratuar me ligj riorganizimin më të madh të veprimtarisë së zbulimit të vendit, në më tepër se 50 vjet.

Sipas ligjit të ri, agjencitë tona të zbulimit do të jenë më të bashkuara, më të korrdinuara dhe më të efektshme. Kjo do të na lejojë ne ta kryejmë më mirë detyrën tonë, që është mbrojtja e popullit amerikan.

Një numër i madh republikanësh në Kongres po shprehin shqetësime, sidomos për sigurinë në kufi dhe po i kërkojnë presidentit të vendosë një kontroll më të madh për imigracionin. Por në përpjekjet e tij përfundimtare për të siguruar miratimin e ligjit masiv mbi zbulimin, zoti Bush premtoi se do ta bënte një gjë të tillë. Dhe kështu ai do të binte ndesh me synimin tjetër të tij për t’i dhënë status të përkohshëm ligjor punonjësve pa dokumente, të cilët kanë një punë. Vëzhguesit politikë thonë se një debat mbi këtë çështje do të rrezikonte miratimin e përparësive të tij më ambicioze në politikën e brëndshme.

Reforma e sigurimeve shoqërore ose thjeshtëzimi i kodit të taksave do të ishte një arritje e rëndësishme legjislative. Por analisti politik Tripp Baird i Fondacionit Heritage thotë se me largimin nga posti të ndoshta tre prej 9 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, presidenti mund të mbahet mend më tepër si njeriu që i dha formë të re Gjykatës së Lartë të vendit.

TRIPP BAIRD, ANALIST ME FONDACIONIN HERITAGE

Gjykata e Lartë është dega e tretë e qeverisë dhe disa thonë se është më e fuqishmja, për arsye se anëtarët nuk janë zgjedhur, ata caktohen dhe janë emëruar për jetë, ose deri sa vetë vendosin të largohen nga ai post.

Kryetari Gjykatës së Lartë, William Renquist, është i sëmurë me kancer dhe ka pasur fjalë se ai mund të dalë në pension. Në se do t’i jepet mundësia të emërojë një gjykatës të ri, presidenti Bush ka thënë se mbështet gjykatësit më konservatorë. Ekspertët ligjorë thonë se një gjykatë më konservatore do të ndryshonte një numër të madh vendimesh liberale, midis të cilave të drejtën e abortit dhe politikat që favorizojnë pakicat. Dhe kjo çështje, po aq sa edhe çështje të tjera gjatë dy mandateve të tij, do të linte gjurmët e George W. Bushit në këtë vend për vite me radhë.

XS
SM
MD
LG