Lidhje

Presidenti Bush mbi sfidat e luftës kunër terrorizmit në mandatin e dytë - 2005-01-22


Presidenti Bush tha se do ta shfrytëzojë mandatin e tij të dytë për të mos u lejuar terroristëve të sigurojnë armë të shkatërrimit në masë. Ndërkaq, demokratët kërkojnë nga presidenti Bush të shpenzojë më shumë para për të përmirësuar sigurimin brenda vendit.

Presidenti Bush tha se pret me gëzim të fillojë mandatin e dytë me përpjekjet për të nxitur lirinë dhe demokracinë në Lindjen e Mesme, të cilat, siç shprehet ai, do të mposhtin disfatën dhe dëshpërimin, zemërimin dhe mungesën e shpresës që ushqejnë terrorizmin:

“Ne vazhdojmë të udhëheqim luftën kundër terroristëve jashtë vendit, në mënyrë që të mos të jetë e nevojshme të ndeshemi me ta brenda vendit. Ne do të përpiqemi që të mos lejojmë që terroristët dhe tiranët të shtien në dorë armët më të rrezikshme të botës. Vendi ynë do t’u qëndrojë pranë popujve të Afganistanit dhe Irakut në përpjekjet e tyre për të ndërtuar shoqëri të lira dhe demokratike në tokën e tyre, sepse kur Amerika jep fjalën, ajo duhet mbajtur,” tha presidenti.

Dhuna vazhdon në prag të zgjedhjeve të 30 janarit në Irak. Administrata e presidentit Bush thotë se është e qartë që këto zgjedhje nuk do të jenë të përkryera, por ato do të jenë një hap tjetër drejt demokracisë në Irak.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, sulmet tregojnë që terroristët e kuptojnë se zhvillimi i zgjedhjeve të suksesshme bie ndesh me dëshirën e tyre për t’u kthyer nën tiraninë e Sadam Huseinit.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se Amerika është vënë në provë gjatë mandatit të tij të parë dhe armiqtë e saj e kanë kuptuar se ky vend është më se i aftë për këtë mision:

“Në përgjigje të sulmeve ndaj tokës sonë, ne kemi kapur ose asgjësuar ekstremistë në mbarë botën. Ne kemi ndërmarrë hapa të paparë për të siguruar atdheun tonë nga sulme të tjera në të ardhmen dhe trupat tona kanë çliruar miliona vetë nga shtypja,”

Zoti Bush paraqiti gjithashtu objektivat e tij për mandatin e dytë, përfshirë edhe ndryshime në sistemin federal të pensioneve dhe ligjet e taksave.

Në fjalimin e përfaqësuesve të Partisë Demokrate për radio, guvernatorja e sapo-zgjedhur e shtetit Washington, Kristine Greguar i bëri thirje presidentit Bush të krijojë një partneritet të ri ndërmjet qeverisë federale dhe qeverive shtetërore për mbrojtjen nga terrorizmi:

“Qeveria federale po vendos kërkesa të reja për sigurimin në qytetet dhe komunat tona, pa ofruar ndihmën e nevojshme financiare për agjencitë lokale të rendit, për policinë dhe zjarrfikësit, të cilët edhe tani kanë fonde të pamjaftueshme,” tha guvernatorja Greguar.

Gjatë javës së ardhshme presidenti fillon mandatin e dytë me një takim me udhëheqës të komunitetit afrikano-amerikan, me dy fjalime për reforma në sistemin e sigurimeve shëndetësore si dhe me një drekë në një pikë pushimesh për ligjvënësit amerikanë.

XS
SM
MD
LG