Lidhje

Irak: Një grup ekstremist thotë se ka ekzekutuar 15 pjesëtarë të Gardës Kombëtare - 2005-01-22


Një grup ekstremist në Irak thotë se ka ekzekutuar 15 pjesëtarë të Gardës Kombëtare Irakiane si paralajmërim për të gjithë ata që bashkëpunojnë me forcat amerikane.

Ky njoftim i Ushtrisë së Ansar al-Sunas, i cili u publikua sot në një faqe elektronike, nuk është verifikuar ende.

Megjithatë 15 pjesëtarëve të Gardës iu zu pritë dhe u rrëmbyen javën e kaluar në perëndim të Bagdatit. Nëse verifikohet ky njoftim, këto vrasje do të jenë incidentet e fundit në një seri aktesh që synojnë të dekurajojnë irakianët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 30 janarit.

Po sot u njoftuan masa të reja sigurie, përfshirë edhe mbylljen e aeroportit të Bagdatit fundjavën e ardhshme dhe zgjatjen e ndalim qarkullimit në disa qytete.

Ndërkaq organizata e cila po bashkërendon votimet për irakianët që jetojnë jashtë vendit njoftoi se e ka shtyrë deri të martën afatin përfundimtar si rrjedhojë e pjesëmarrjes së ulët në votime deri tani.

Organizatorët shpresonin se afro 1 milion njerëz do të regjistroheshin, por deri tani vetëm 93 mijë irakianë janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG