Lidhje

Hiqen barrikadat dhe telat me gjemba nga ura e Mitrovicës - 2005-01-23


Paqeruajtësit e NATO-s hoqën sot në mëngjes barrikadat në urën kryesore të lumit Ibër, i cili ndan qytetin në dy pjesë, në veriun e banuar tani me shumicë serbe dhe jugun e banuar me shumice shqiptare.

Barrikadat e vëna prej kohësh në urë kanë shërbyer për të ndalur përplasjen midis dy palëve në urën kryesore të Ibrit, e cila vazhdon të kontrollohet nga ushtarët francezë të KFOR-it. Zëdhënësi i paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, De Kermorvo, i tha sot Zërit të Amerikës, se ky është një process hap pas hapi, që do të pasohet Brenda ditësh ose javësh, nga kalimi i kontrollit të urës, nga paqeruajtësit tek policia ndërkombëtare dhe vendore.

Megjithatë, zoti Kermorvo pohoi se në vend të barrikadave, tani në urë janë vënë makinat e blinduara. Ky është vetëm hapi i parë, tha ai duke shtuar se për këtë process, nismëtar ka qenë komandanti i brigadës së veriut, gjenerali francez, Zhak de Shevalje.

Gjenerali Shevalje e kishte nisur këtë process në ditët e para të dhjetorit të vitit të kaluar dhe është dashur kohë sipas zotit Kermorvo, që të binden njerëzit se nuk ka rrezik që kjo të bëhet.

Zëdhënësi i paqeruajtësve thotë se tani lëvizja e njerëzve është me lehtë dhe se shpresohet të mos ketë trazira. Përleshjet e fundit midis dy komuniteteve kryesore, shqiptare dhe serbe në këtë zonë ndodhën gjatë trazirave të marsit, në të vërtetë, trazirat filluan në këtë qytet të ndarë, më 17 mars, pas mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumen Ibër, trupat e të cilëve u gjetën më vonë. Trazirat prej këtu u përhapën në gjithë Kosovën, duke shkaktuar dhjetra të vdekur dhe qindra të plagosur.

Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë i ndarë që nga hyrja e paqeruajtësve të NATO-s dhe mbetet pikë e vazhdueshme tensioni midis dy palëve. Pjesa veriore e Kosovës banohet me shumicë popullsi serbe dhe megjithë përpjekjet e administratës ndërkombëtare për të vendosur rregullat e saj në zonë, kjo pjesë vazhdon të jetë nën një ndikim të fuqishëm të Beogradit.

Struktura paralele të Beogradit vazhdojnë të veprojnë në këtë pjesë të Kosovës, ndërkohë që popullsia lokale pothuaj i bojkotoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit.

Përfaqësuesit politikë të serbëve në këtë zonë, janë mbledhur nën një koalicion të kryesuar nga Oliver ivanovic, i cili vitet e para pas hyrjes së forcave të NATO-s akuzohej se ishte udhëheqësi i të ashtuquajturave “roja të urës”, të cilët vëzhgonin hyrje-daljet në urën kryesore të lumit Ibër, për të mos lejuar depërtimin e shqiptarëve në pjesën veriore.

Shumica e banorëve shqiptarë nga pjesa veriore u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të vendoseshin në pjesën jugore të Mitrovicës apo në pjesë të tjera të Kosovës. Megjithë një sërë projektesh që janë bërë për ribashkimin e qytetit, gjendja vazhdon të mbetet pak a shumë e njëjtë.

XS
SM
MD
LG