Lidhje

Nicholas Whyte: në Kosovë nuk është e mundur të ruhet protektorati ndërkombëtar pa konsensusin e vazhdueshëm të popullit - 2005-01-24


Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë e pavarur me qendër në Bruksel që përpiqet për parandalimin e krizave, thotë se në Kosovë mund të fillojnë përsëri trazirat nëse asaj nuk i jepet pavarësia. Në se në vitin 2005, thuhet në raport, nuk bëhet përparim i ndjeshëm drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, ekziston rreziku që pakica serbe të kërkojë mbrojtje nga forcat e armatosura serbe, gjë që mund ta kthejë Kosovën përsëri në konflikt. Zëri i Amerikës intervistoi një ndër autorët e raportit, Nicholas Whyte, i cili është drejtor i Programit të kësaj organizate për Evropën.

Zëri i Amerikës: Zoti Whyte, përse e shikoni vitin 2005 si një vit kritik për Kosovën? A shikoni shenja se Kosova mund të zhytet në kaos nëse nuk realizohen disa gjëra që ju i rekomandoni në raportin tuaj?

Nicholas Whyte: Ky është një afat i vendosur nga jashtë, nga komuniteti ndërkombëtar, ku Grupi i Kontaktit, i përbërë nga gjashtë vende ka deklaruar se do të përpiqet të marrë një vendim nga mesi i këtij viti me supozimin se vetë kosovarët kanë treguar se janë të aftë për vetqeverisje. Ky është dimensioni i jashtëm. Dimensioni i brendshëm që shohim ne qendron në faktin se nuk është e mundur të ruhet një protektorat ndërkombëtar pa konsensusin e vazhdueshëm të popullit dhe ne shikojmë shenja se durimi po humbet brenda Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të propozonit për të plotësuar kërkesat e pakicës serbe, e cila vazhdon të ketë dyshime rreth synimeve të shqiptarëve?

Nicholas Whyte: ”Dyshime” në këtë rast është një fjalë tepër e butë. Mendoj se pakica serbe është e frikësuar dhe ka arësye të jetë e tillë po të kemi parasysh trajtimin e keq që i është bërë nga shqiptarët. Nuk varet nga ne por nga udhëheqja shqiptare që të arrihet pajtimi me pakicën serbe dhe ne kemi bërë në raport rekomandime mjaft të forta që ata ta fillojnë këtë proces menjëherë, jo thjesht duke ofruar disa garanci në një farë kushtetute të ardhëshme për një Kosovë të pavarur, megjithëse edhe kjo është natyrisht e rëndësishme, por edhe përmes aktiviteteve për ndërtimin e besimit të bazuara në komunitet, në përpjekje për t’i sjellë serbët përsëri në Prishtinë, për të treguar se Prishtina është edhe qyteti i tyre. Për ne kjo ka rëndësi jetike. Të drejtat e pakicave janë standardi i vetëm që me të vërtet ka rëndësi në të gjithë këtë proces, janë standardi në bazë të të cilit duhet të gjykohen shqiptarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A shikoni ndonjë rrezik që Serbia të provokojë konflikt për të evituar një status përfundimtar që do të kishte si bazë pavarësinë?

Nicholas Whyte: Është e qartë se politikanët serbë të të gjitha orientimeve janë në një masë shumë të madhe kundër pavarësisë së Kosovës. Kjo është diçka të cilën ne na duhet ta pranojmë. Ata nuk kanë alternativë më të mirë dhe nuk kanë ndonjë plan se si t’i bëjnë shqiptarët të hyjnë përsëri nën qeverisjen serbe. Është e qartë se Kosova, ose qoftë një pjesë e saj është e pamundur të kthehet nën qeverisjen e Beogradit. Prandaj, për mendimin tonë, Serbia duhet të kuptojë se roli i saj është mbrojtja e serbëve dhe e interesave të tyre brenda Kosovës, por ajo nuk ka ndonjë rol në qeverisjen e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të bëhet që Serbia të pranojë realitetin, pra se e ka humbur Kosovën?

Nicholas Whyte: Pikërisht për këtë bëjmë thirrje edhe ne, që komuniteti ndërkombëtar të bëjë një deklaratë, sa më shpejt që të jetë e mundur, ku të thotë se e ardhmja e Kosovës nuk do të jetë nën Serbinë, se ajo nuk do të bashkohet me Shqipërinë dhe se as nuk do të ndahet nga brenda. Megjithëse komuniteti ndërkombëtar ka bërë komente të ngjashme edhe më parë, ne mendojmë se këto formulime mund të përmirësohen. Në muajin shtator, Grupi i Kontaktit deklaroi se Kosova nuk duhet të kthehet nën qeverisjen e Beogradit me kusht që të jetë bërë përparim i mjaftueshëm në plotësimin e standardeve të imponuara nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo për ne nuk është plotësisht e kënaqëshme. Në fakt, plotësimi i standardeve duhet të kontrollojë shpejtësinë e lëvizjes drejt pavarësisë dhe sjellja e shqiptarëve nuk duhet të ketë të bëjë fare me atë nëse ata do të kthehen apo jo nën qeverisjen e Beogradit.

Zëri i Amerikës: Por a janë shqiptarët të përgatitur për pavarësinë, a janë ata në gjendje të krijojnë një shtet funksional që të mund ta qeverisin vetë?

Nicholas Whyte: Kjo u takon vetë atyre për ta provuar. Ne u propozojmë atyre disa rrugë që mund të ndjekin, por ne vërejmë gjithashtu faktin se deri tani, realizimet në këto aspekte nga ana e tyre nuk kanë qenë të mira.

Zëri i Amerikës: Dhe si mund të veprohet me Rusinë, si mund të bindet Rusia e cila deri tani ka qenë një pengesë që çështja e statusit të përparojë?

Nicholas Whyte: Nuk është shumë e qartë se çfarë e udhëheq politikën ruse për Kosovën në këto momente. Mund të them se duke qenë se Rusia i ka tërhequr trupat nga Kosova, ajo nuk mund të presë që të tjerët të zbatojnë politikat e saj atje. Pra, mendoj se një ekuacion i tillë nuk funksionon. Unë parashikoj që, ose Rusia do të mund të bindet nga komuniteti ndërkombëtar, ose komuniteti ndërkombëtar do të gjejë një rrugë tjetër për të ecur përpara pa Rusinë.

Zëri i Amerikës: A shikoni shenja se Shtetet e Bashkuara janë direkt të interesuara që Kosova të fitojë pavarësinë?

Nicholas Whyte: Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që kjo çështje të zgjidhet. Dhe na duket se nuk ka zgjidhje tjetër përveç lëvizjes drejt pavarësisë për Kosovën. Prandaj, në këtë kuptim, dhe jo për arësye më të thella, Shtetet e Bashkuara janë të interesuara ta bëjnë këtë dhe të sqarojnë këtë pjesë të veçantë të procesit. Me t’u zgjidhur problemi i Kosovës, trupat amerikane dhe të tjera do të mund t’i kenë duart e lira për t’u dërguar në rajone të tjera.

Zëri i Amerikës: Kjo vlen përsa i përket statusit. Po për pavarësinë? A shikoni ndonjë shenjë se Shtetet e Bashkuara po lëvizin drejt këtij objektivi?

Nicholas Whyte: Më duket se deri tani ende nuk është thënë gjë në publik. Por nëse shikon ato që ndodhin në prapaskenë, sidomos prapa deklaratës së bërë nga Grupi i Kontaktit në shtator, atëhere mendoj se mundësitë ekzistojnë.

XS
SM
MD
LG