Lidhje

Tradicionalisht mandatet e dyta presidenciale kanë qenë të vështira - 2005-01-25


Pas përfundimit të ceremonive të inagurimit, presidenti Bush filloi detyrën e tij të vështirë për të siguruar miratimin e programit të tij ambicioz nga Kongresi.

Mandatet e dyta nuk kanë qenë të këndshme për presidentët Nikson, Reagan dhe Clinton pasi të tre u ndeshëm me probleme të mëdha në mandatet e tyre të dyta. Në fakt, në rastin e presidentit Nixon, ai u detyrua të jepte dorëheqjen dy vjet para përfundimit të mandatit të tij të dytë, për shkak të skandalit Watergate në vitin 1974.

Presidenti Bush duket se është i vendosur ta prishë këtë cikël të mungesës së arritjeve të rëndësishme në mandatin e dytë. Ai ka propozuar një plan ambicioz të politikës së brendshme, ku përfshihen reforma rrënjësore në sistemin e taksave dhe në sistemin e pensioneve të njohur si Sigurimet Shoqërore.

Duke filluar mandatin e tij të dytë, presidenti tha se do të kërkojë bashkpunimin e demokratëve të opozitës, ashtu siç bëri në banketin që u shtrua pas betimit të tij në ndërtesën e Kapitolit.

”Si udhëheqës, ne kemi detyrën e përbashkët për të arritur rezultate për popullin pavarësisht se cilës parti i përkasim. Ne na pret një punë e rëndësishme dhe jamë i gatshëm të punoj me të dyja dhomat e Kongresit dhe me të dy partitë për realizimin e këtij objektivi,” tha presidenti Bush.

Por, shumë demokratë tanimë e kanë bërë të qartë opozitën e tyre ndaj planit të presindentit për të privatizuar programin e sigurimieve shoqërore.

Senatori Ted Kennedy e ka paralajmëruar tashmë presidentin se çdo përparim në reformimin e sistemit të taksave apo të sigurimeve shoqërore varet nga një kompromis i vërtetë nga ana e administratës së Presidentit Bush.

”Ne si demokratë, mund të jemi pakicë në Kongres, por ne flasim për shumicën e amerikanëve. Nëse ideja e Shtëpisë së Bardhë e bashkëpunimit ndërpartiak nënkupton që ne të pranojmë çdo gjë që ajo propozon, atëherë nuk jemi të interesuar.”

Pak pas zgjedhjeve, Presidenti Bush tha se kishte siguruar kapital politik me fitoren e tij dhe se ka në plan ta shpenzojë atë. Analistët politikë thonë se ai duhet ta bëjë këtë sa më shpejtë, para se ky kapital të fillojë të venitet nga fundi i mandatit të tij të dytë.

”Nëse republikanët dhe presidenti nuk do të shfrytëzojnë avantazhin që kanë tani dhe të shfrytëzojnë dobësinë e demokratëve, do të shohim se në vitet 2006 dhe 2007 beteja politike do të balancohet shumë,” tha analisti politik Patrick Bashman i Institutit Cato.

Analistë të tjerë vënë në dukje se disa përkrahës të presidentit e shohin rizgjedhjen e tij si një mandat për ndryshime konservative. Thomas Mann i Instituti Brookings parashikon se konservatorët në Kongres do t’i bëjnë presion presidentit që të mos bëjë kompromis me demokratët. MANN ACT ” Unë mendoj se ky president është shumë ambicioz në politikat e tij. Por ai ka pikëpamje të forta rreth atyre që duhen bërë, gjë që e pengon atë të kërkojë ide të reja dhe të hyjë në kompromis me demokratët.”

Republikanët thonë se janë të bindur që mandati i dytë i presidentit do të jetë i suksesshëm sepse ai e ka provuar se mund të sigurojë mbështetjen publike për politikën e tij.

Por demokratët paralajmërojnë se popullariteti i presidentit Bush nuk do të mjaftojë për të siguruar mbështetjen për propozimet e tij për reforma rrënjësore në sistemin e taksave dhe të sigurimeve shoqërore. Në të njëjtën kohë, ata theksojnë rezultatet e anketave të fundit të opinionit që tregojnë se puna e presidentit mbështetet vetëm nga pak më sahumë se 50 për qind e amerikanëve, shifër për të cilin historianët thonë se është e ulët për një president në fillim të mandatit të tij të dytë.

XS
SM
MD
LG