Lidhje

Acidi folik; Mbipesha trupore; Stuhitë diellore - 2005-01-25


Acidi folik

Një studim i ri tregon se acidi folik, që u shtohet disa ushqimeve, mund të ketë edhe disa të mira të tjera si për shembull parandalimin e tensionit të lartë të gjakut tek gratë. Anne Maria Donadio thotë se çdo ditë merr acid folik me rekomandim të mjekut për parandalimin e lindjes me defekt të fëmijës së saj. Ajo i merr ato në formë tabletash krahas ushqimit. Acidi folik gjendet gjithashtu në lëngun e portokallit, fruta, perime, fasule e bukë. Krahas parandalimit të lindjeve defektoze, acidi folik ose folate, mund të ketë një tjetër dobi për gratë për uljen e tensionit të gjakut. Në këtë përfundim arriti një studim botuar këto ditë në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë. Doktor John Forman i spitalit Brigham thotë se një dozë më e lartë acidi folik duket se pakëson rrezikun e zhvillimit të tensionit të lartë. Doktor Forman dhe kolegët e tij pranë spitalit të Grave, Brigham në Boston, studiuan të dhënat dietike të 150 mijë grave. Ata studiuan dy grup mosha; 27 deri 44 vjeç dhe 43 deri më 70 vjeç, duke vëzhguar marrjen e acidit folik dhe tensionin e gjakut për 8 vjet. Rezultate më të dukëshme u vunë re tek gratë e reja. Doktor Forman thotë se mes grave të reja, ato që konsumuan mbi 1 mijë mikrogram folate në ditë, rreziku për t’u prekur nga tensioni i gjakut ra 46 përqind, në krahasim me ato gra që merrnin 200 mikrogram acid folik në ditë. Tek gratë më të moshuara ky rrezik ra 18 përqind. Shumë prej grave amerikane konsumojnë 400 mikrogram acid folik në ditë, duke e marrë atë nëpërmjet ushqimeve. Për marrjen e 1 mijë microgramëve, gratë pjesmarrëse në studim morrën folate shtesë. Por doktor Forman thotë se duhet patur kujdes: “Deri sa të kryen studime të tjera, gratë nuk duhet të shtojnë pa arsye dozën e acidit folik, megjithatë ne jemi të gëzuar rreth shpresave që kanë krijuar rezultatet e studimit të tanishëm për parandalimin e tensionit të lartë të gjakut.”

Brenda 7 muajve humbet 250 kg

Patrik Deuel nga Nebraska ka ndryshuar shumë. 7 muaj më parë ai peshonte 500 kilogram dhe problemet shëndetsore si rrjedhojë e kësaj mbipeshe për pak sa nuk i morën jetën. Në qershor të vitit të kaluar, Patrik vendosi t’i nënshtrohej operacionit bajpas të gastritit dhe që nga ajo kohë ka humbur 260 kilogram. Operacioni u krye në spitalin Avera McKenna në su Falls të Daktotës së jugut dhe zgjati 9 orë. Që nga ajo kohë, ai iu nënshtrua një diete të fortë me 1200 kalori në ditë dhe një regjimi ushtrimesh fizike. Para disa ditësh, Patriku doli nga spitali dhe u kthye në shtëpi në qytetin Valentin të Nebraskës. Ai thotë se shpreson të vazhdojë të bjerë nga pesha dhe t’i gëzohet jetës familjare me bashkëshorten e tij Edie. Para se të bëhej operacion, Patriku nuk kishte dalë nga shtëpia për 7 vjet dhe muajt e fundit para operacionit ai qëndronte vetëm shtrirë pasi nuk ishte në gjendje të zbriste as nga shtrati.

Stuhitë diellore

Javën e kaluar, shkencëtarët vunë re në hapësirë një stuhi diellore më e madhja deri më sot, Ata mendojnë se ky fenomen prodhoi një çlirim masiv energji elektronesh që paraqiti probleme për anijet e hapësirës dhe satelitët artificialë. Duke filluar nga 14 janari, vetëm nga një rajon i diellit kanë shpërthyer të paktën 17 stuhi me fuqi mesatare. Zyrtarët e agjencisë amerikane të hapësirës, NASA thonë se këto shfaqje dritash janë shpërthime masive që çlirojnë në hapësirë deri në 10 miliardë ton gaz elektrik që lëvisin me një shpejtësi prej 3 milionë kilometrash në orë. Ato mund të shkaktojnë stuhi magnetike që duke u përplasur me fushën magnetike të tokës, mund të ndryshojnë formën e saj. Këto fenomene u vrojtuan nga anija e hapësirës SOHO që ndodhet në orbitën e Diellit rreth 1,6 milionë kilometra nga toka. Gjatë këtij misioni të përbashkët amerikano-evropian, sonda Soho ka në bordin e saj 12 paisje vëzhgimi dhe laboratorike. Sipas agjencisë së lajmeve New Scientist, stuhitë e fundit diellore bënë që dy linja ajrore amerikane të ndryshonin itineraret për aeroplanët e tyre që ata të mos fluturonin mbi zonat polare.

XS
SM
MD
LG