Lidhje

Petersen: rritet presioni për zgjidhjen e çështjes së Kosovës - 2005-01-25


Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Sorren -Jessen Petersen, pohoi në një fjalim të tij drejtuar parlamentit evropian, se ka gjithnjë e më shumë presion për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pas përparimit të bërë në Kroaci, Maqedoni dhe Bosnjë. Zoti Petersen, thotë në këtë fjalim të dorëzuar nga këshilltari i tij i posacëm Kim Freiberg në parlamentin evropian, se Kosova është pjesa e fundit e fjalëkryqit dhe se komuniteti ndërkombëtar me vite të tëra ka menaxhuar të ashtuquajturin “operacion mbajtës” në Kosovë.

Duke cituar raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, zoti Petersen e citon atë në pjesën se gjendja vend-numëro nuk do të mund të mbahet. Kryeadministratori thotë se tani po trajtohen të gjitha ato që shkuan keq gjatë trazirave të marsit, se siguria tani është përmirësuar, se ka ulje të krimeve kundër pakicave. Vizita e fundit e kryeministrit serb Koshtunica kaloi pa incidente, thotë ai duke shtuar se sidoqoftë, perceptimi i sigurisë nga pakicat ende është negative dhe se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës dhe shoqëria e Kosovës kanë një rol të rëndësishëm për ti bërë ata të ndjehen më të sigurtë. Zoti Petersen vë në dukje se ka pasur përparim në rindërtimin e objekteve të shkatërruara gjatë trazirave të marsit dhe se qeveria e Kosovës po jep para kesh për familjet që kthehen. Po kështu fonde thelbësore janë vënë në dispoziion për të riparuar monumentet dhe objektet fetare, por kasha ortodokse e ka pezulluar pjesëmarrjen e vet dhe e ka ndaluar përparimin në këtë çështje, thotë zoti Petersen. Kryeadministratori vë në dukje gjithashtu se janë përcaktuar standartet me përparësi për të qenë realiste dhe me synime të arritshme. Po kështu, ai vë në dukje se po jepet më shumë përgjegjësi për udhëheqësit e zgjedhur vendorë në ato fusha që nuk lidhen me sovranitetin dhe në të njëjtën kohë zoti Petersen po kërkon më shumë përgjegjësi nga udhëheqësit për veprimet apo mos-veprimet e tyre. Në fjalim pohohet se tani është në fuqi një politikë e dhënies së llogarisë nga drejtuesit vendorë dhe janë parashikuar sanksione kundër zyrtarëve që nuk kryejnë detyrën apo bllokojnë përpjekjet për përmirësim në fusha kyce. Zoti Petersen thotë se presidenti Rugova ka rënë dakord të lërë postin e tij si udhëheqës partie në përputhje me kornizën kushtetuese dhe se kryeministri Ramush Haradinaj, ka treguar me shpejtësi se është në krye të një qeverie energjike, të vendosur për të bërë përparim të vërtetë dhe për tu zgjatur dorën pakicave. Qeveria po lëviz me shpejtësi në zbatimin e projekteve pilot për decentralizimin, thotë ai.

Megjithatë, zoti Petersen nënvizon se pjesëmarrja e serbëve në Kosovës në proceset këtu është ende shumë zhgënjyese. Duke komentuar spekullimet për mundësinë e akuzimit të kryeministrit Haradinaj nga gjykata e Hagës, zoti Petersen thotë se kryeministri është zgjedhur në përputhje të plotë me kornizën kushtetuese dhe parimet ligjore. “Nëse është e nevojshme, ne kemi besim se do të shohim drejtësinë në veprim në Kosovë dhe Kosova do ti tregojë botës dhe rajonit një shembull të sjelljes në përputhje me procesin juridik”, thekson ai. Zoti Petersen thotë se ka rrezik për përpjekje për të vonuar procesin dhe se nuk përjashtohen provokimet apo dhuna nga ata që nuk duan të shohin lëvizje drejt zgjidhjes së statusit. Ai përjashton ndarjen territoriale, apo copëtimin. Kryeadministratori thekson se komuniteti ndërkombëtar do të angazhohet në Kosovë për një kohë dhe se Kosova pas statusit, do të ketë nevojë për një prani ndërkombëtare civile dhe një prani sigurie për të siguruar stabilitet dhe lëvizje të vazhdueshme drejt integrimit evropian.

XS
SM
MD
LG