Lidhje

Uashington: 2 anëtarë të Gjykatës së Lartë bënë një hap të pazakontë - 2005-01-26


Në Uashington, dy anëtarë të Gjykatës së Lartë kohët e fundit ndërmorrën një hap të pazakontë duke marrë pjesë në një debat publik rreth një teme juridike: sa vëmendje duhet t’i kushtojë Gjykata e Lartë amerikane ligjeve të huaja kur këto kanë një farë lidhjeje me çështjen që shtrohet para kësaj gjykate. Debati u zhvillua para studentëve të universiteteve në Uashington.

Nga të treja degët e qeverisë amerikane, Gjykata e Lartë njihet si institucioni më i mbyllur për publikun. As kamerat dhe as mikrofonët nuk lejohen brenda gjykatës gjatë diskutimeve dhe të nëntë gjykatësit i marrin vendimet në mënyrë private. Në pjesën më të madhe, gjykatësit nuk i diskutojnë opinionet e tyre me shtypin.

Por kohët e fundit dy anëtarë të gjykatës ndërmorrën hapin e pazakontë të organizimit të një debati jozyrtar publik në Universitetin Amerikan në Washington për çështjen se sa duhet t’u referohet gjykata e lartë ligjeve të vendeve të tjera kur merr vendimet e saj.

Debati kishte në qendër zërat konservatorë të Gjykatës së Lartë, si gjykatësi Antonin Scalia ndaj atyre më liberalë si gjykatësi Stephen Breyer.

Gjatë viteve të fundit disa nga anëtarët e Gjykatës së Lartë u janë referuar ligjeve të huaja për të mbështetur opinionet e tyre për çështje ku përfshihen dënimi me vdekje dhe ligjet e shteteve që ndalojnë martesat midis homoseksualëve.

Gjykatësi Scalia nuk është aspak admirues i ligjeve të huaja kur vendos për çështje ligjore këtu në Shtetet e Bashkuara. Ai preferon t’u referohet akteve ligjore amerikanë.

“Standardeve të korrektesës në shoqërinë amerikane dhe jo standardeve botërore, jo standardeve të vendeve të tjera që nuk kanë historinë, kulturën dhe pikëpamjet tona morale. Çfarë vlere mund të ketë një ligj i huaj për ne?”

Nga ana tjetër gjykatësi Breyer përkrah pikpamjen se gjykatësit amerikanë duhet që të paktën të mbajnë parasysh atë që gjykatësit në vende të tjera mund të vendosin për një çështje të caktuar, qoftë kjo për dënimin me vdekje apo për mbajtjen pa kufi të terroristëve në burgje pa u gjykuar.

”Përpiqem të ndjek logjikën se si kanë vendosur të tjerët që janë përballur me të njëjtat çështje. Më intereson të lexoj për ligjet e vendeve të tjera sepse ato hasin në të njëjtat probleme. Mendoj se këtu nuk ka asgjë të keqe. Njerëzit në këtë vend nuk janë shumë ndryshe nga ata në vendet e tjera.”

Gjykatësi Breyer argumenton se citimi i ligjeve të huaja në gjykatat amerikane mund të rrisë të mirat e inkurajimit të demokracisë në vende ku sistemi gjyqësor ende përpiqet për të fituar pavarësinë juridike.

Ndërsa gjykatësi Scalia thotë se ai nuk sheh ndonjë problem në leximin e opinioneve ligjore të huaja nga kolegu i tij i Gjykatës së Lartë. Por ai nuk mendon se ato duhet të citohen si referenca gjatë argumentimeve ligjore këtu në Shtetet e Bashkuara.

Debati për t’iu referuar apo jo ligjeve të huaja në gjykatën e lartë nuk ka kaluar për diskutim në kongres.

XS
SM
MD
LG