Lidhje

Presidenti i Kosovës bën përsëri thirrje për pavarësi - 2005-01-26


Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha të mërkurën se viti 2005 do të jetë periudhë e qëndrueshmërisë politike, mbrojtjes së pakicave kombëtare dhe reformës së pushtetit vendor. Ai i bëri këto komente gjatë fjalimit vjetor që mbajti në Parlamentin e Kosovës, i pari në përbërjen e re të tij.

Duke e vlerësuar vitin që shkoi si periudhë të përparimit, ai tha se viti 2005 do të shënojë shtim të këtij përparimi meqë, siç tha, është krijuar një bazë e qëndrueshme shtetërore e aftë për zhvillim të mëtejshëm duke vënë theksin në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.

Ai u angazhua për integrimin e grupeve etnike, dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke e çmuar si të rëndësishëm edhe vullnetin e pakicave për integrim. Po ashtu ai tha se institucionet do të punojnë më shumë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës.

Ai tha se ka ardhur koha që Kosova të ketë mundësi të përfaqësimit diplomatik në disa vende evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara gjë që do të siguronte një komunikim zyrtar dhe do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të vendit. Ai tha se çështje e rëndësishme do të jetë edhe bartja e përgjegjësive nga Misioni i Kombeve të Bashkuara tek institucionet e Kosovës.

“Një angazhim të vazhdueshëm do të bëjmë në vlerësimin dhe përmbushjen e rekomandimeve apo standardeve prioritare për integrim në strukturat europiane dhe euroatlantike, siç janë: stabiliteti politik, mbrojtja dhe garantimi i minoriteteve, si dhe reforma e pushtetit lokal, që do të bëhet mbi baza vertikale dhe jo mbi baza etnike”, tha presidenti Rugova.

Ai bëri sërish thirrje për njohjen pavarësisë së Kosovës në kufijtë aktualë nga Shetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ky është vullneti politik i popullit të Kosovës. Me njohjen e pavarësisë, për një kohë UNMIK-u do të kalojë në rolin këshilldhënës dhe KFOR-i/NATO do të vazhdonte praninë e vet të rëndësishme për Kosovën dhe për vendet rreth saj, ndërsa në të ardhmen NATO do të ketë baza këtu, sepse ne do të jemi anëtar i saj”, tha presidenti Rugova i cili është angazhuar edhe për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e Kosovës, duke nënvizuar se kjo është politikë zyrtare e Kosovës.

Fjalimi i tij është kundërshtuar ende pa filluar nga forcat opozitare të cilat e kanë cilësuar atë si shkelje të Kornizës Kushtetuese, meqë sipas opozitës, presidenti duhet t’i raportojë Parlamentit dhe ky i fundit duhet të debatojë rreth tij. Por debate as sot nuk pati.

XS
SM
MD
LG