Lidhje

Irak: 31 ushtarë të vrarë nga rrëzimi i helikopterit - 2005-01-26


31 marinsa amerikanë humbën jetën, kur një helikopter ushtarak amerikan u rrëzua të mërkurën në një zonë të largët të Irakut perëndimor dhe pesë trupa të tjera amerikane u vranë në detyrë, duke bërë që kjo të jetë dita më me humbje për forcat amerikane në Irak.

Helikopteri u përplas ndërkohë që ishte me një mison të zakonshëm patrullimi në afërsi të qytetit të largët perëndimor Ar Rutbah, në afërsi të kufirit me Sirinë dhe Jordaninë. Një ekip shpëtimi është në zonë dhe shkaku i rëzimit të helikopterit po hetohet.

Në Uashington, Shefi i Komandës Qendrore të ushtrisë, gjenerali Xhon Abizaid, tha se nuk kishte dijeni për ndonjë veprim të armikut në rajon, por shtoi se koha ka qënë e keqe.

Po ashtu në pjesën perëndimore të Irakut, ushtria tha se 4 marinsa amerikanë u vranë në aksion në provincën al-Anbar. Në veri, një ushtar u vra dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm me raketa.

Presidenti Bush tha se amerikanët kanë bërë sakrifica të mëdha për të përhapur lirinë dhe u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të trupave.

Bush thirrje irakianëve të dalin në votime

Presidenti Bush u bëri thirrje irakianëve të marrin pjesë në zgjedhjet kombëtare të djelën e ardhëshme, duke thënë se terroristët që janë kundër shoqërisë së lirë duhet të munden.

Zoti Bush i bëri këto deklarata të mërkurën, gjatë konferencës së tij të parë të shtypit që nga inaugurimi për mandatin e dytë.

Presidenti i quajti zgjedhjet në Irak, si një moment madhështor në historinë e këtij vendi. Ai hodhi poshtë sugjerimet se dhuna e vazhdueshme në vend tregon se demokracia nuk po hedh rrënjë.

Terroristi i kërkuar Abu Musab al-Zarqawi është zotuar se do t’i pengojë zgjedhjet e 30 janarit në Irak, duke thënë se do të bëhen sulme në qendrat e votimit.

Zoti Bush shfrytëzoi konferencën e shtypit për të përsëritur mesazhet e fjalimit të inagurimit se liria në Amerikë forcohet duke përhapur lirinë nëpër botë.

Presidenti tha se ka për qëllim të përmirësojë edhe më tej lidhjet me miqtë dhe aleatët. Ai tha se do t’i kërkojë përsëri Kinës të përmirësojë të drejtat e njeriut dhe to t’i bëjë thirrje Rusisë të bëjë reforma demokratike.

XS
SM
MD
LG