Lidhje

Sekretarja e re e Shtetit fillon detyrën - 2005-01-27


Sekretarja e re e Shtetit Kondoliza Rajs filloi zyrtarisht punën me angazhimin për të punuar për zbatimin e vizionit të presidentit për demokraci në mbarë botën dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatët amerikanë. Zonja Rajs pritet të bëjë javën e ardhshme vizitën e parë jashtë vendit si shefja e diplomacisë amerikane. Zonja Rajs erdhi në postin e Sekretares së Shtetit një ditë pasi mori konfirmimin e Senatit dhe mbajti një fjalim para disa qindra punonjësve të Departamentit, ku theksoi se kishte nevojë për mbështetjen e tyre për të çuar përpara atë që e cilësoi si program të guximshëm të presidentit në politikën e jashme.

Sekretarja e re e Shtetit theksoi temën e fjalimit të presidentit Bush me rastin e inaugurimit për mandatin e dytë, duke thënë se nuk mendonte se ka kauzë më të mirë se sa të thuash se Shtetet e Bashkuara punojnë për lirinë dhe përkrahin të gjithë ata që duan të arrijnë aspiratat e tyre për demokraci.

Fjalimi i presidentit ka ngjallur kritika, ndër të tjera për tonet tepër ambicioze lidhur me vendosjen e demokracisë në Lindjen e Mesme.

Zonja Rajs, ish specialiste për Shtëpinë e Bardhë, vuri në dukje se ka pesimizëm të thellë lidhur me të ardhmen e demokracisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Por ajo tha se kundërshtarët e Amerikës gjatë luftës, Gjermania dhe Japonia, si dhe vendet ish-komunite të Evropës Lindore kanë përjetuar transformime demokratike. Ajo ngriti idenë se edhe në Lindjen e Mesme mund të ketë një situatë të ngjashme në të ardhmen e afërt: "E di që ka nga ata që vënë në pikëpyetje mundësinë për të vendosur një demokraci të qëndrueshme në truallin e Bregut Perëndimor dhe në Irak apo Afganistan. Mendoj se ne amerikanët, që e dimë sa e vështirë edhe rruga drejt demokracisë, duhet të besojmë që kjo mund të bëhet realitet. Ne duhet të punojmë në këtë drejtim, të punojmë me të gjithë ata që duan të arrijnë këto aspirata, në mënyrë që një ditë një president i ardhshëm amerikan të ulet për bisedime me presidentë apo kryeministër demokratë nga vende të Lindjes së Mesme, të cilët ende nuk e kanë njohur demokracinë", tha zonja Rajs.

Sekretarja e re e Shtetit, duke bërë aludim për përçarjet që u krijuan pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak, tha se Shtetet e Bashkuara kanë aleatë të cilët, siç u shpreh ajo, “duhet të dimë t’i bashkojmë për të na mbështetur në këtë kauzë të madhe që kemi përpara”. Zonja Rajs shtoi se pret me dëshirë mundësinë për të punuar me stafin e Departamentit për ta arritur një gjë të tillë.

Presidenti Bush konfirmoi sot në një intervistë për rrjetin televiziv arab Al Arabija se zonja Rajs do të zhvillojë së shpejti udhëtimin e saj të parë si Sekretare Shteti në përpjekje për të çuar përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Zyrtarët amerikanë thonë se Sekretarja Rajs fillon javën e ardhshme turneun, gjatë të cilit do të bëjë disa ndalesa edhe në Evropë përveç Lindjes së Mesme.

XS
SM
MD
LG