Lidhje

Vazhdojnë vështirësitë e krijuara nga dëbora në jug dhe veri të Shqipërisë - 2005-01-27


Në zonën Veriore të Shqipërisë vazhdojnë prej katër ditësh reshjet e dëndura të dëbores.

Në pjesën më të madhe të komunave malore trashësia e dëborës ka arritur në 2 metra, ndërsa në qytetin e Pukës, sot dëbora arriti lartësinë 1 metër e 40 centimetra.

Të gjitha rrugët rulale gjenden të bllokuara, ndërsa rruga kombëtare Fushë - Arrës – Kukës – Morinë është bërë sot e kalueshme, por vetëm nën shoqërimin e forcave dhe mjeteve të ushtrisë, policisë dhe të ndërmarrjes së rrugëve. Situata është më e rënduar në rrethet e Kukësit, Tropojës dhe Pukës, ku ndjehet edhe mungesa e energjisë elektrike. Ministria e Pushtetit Vendor shpërndau sot një fond ndihme të ngutëshme për komunat e bllokuara.

Reshjet e mëdha të dëborës po krijojnë mjaft vështirësi edhe në jug të Shqipërisë. 6 komuna malore të rrethit të Gjirokastërs jane bllokuar, ndërsa probleme komunikimi ka edhe në disa segmente të rrugës kombëtare që lidh Gjirokastrën me Sarandën. Vështirësi kalimi ka edhe në segmentin rrugor që lidh Gjirokastrën me Tepelenën dhe Mallakastrën.

Ndërkaq gjatë paradites së sotme nisi të funksonojë lëvizja e mjeteve drejt Greqisë përmes pikës së Kakavijës që ishte ndërprerë dje për shkak të reshjeve të mëdha në segmentin rrugor Kakavijë - Janinë.

XS
SM
MD
LG