Lidhje

Irak: masat e sigurisë në prag të zgjedhjeve - 2005-01-28


Ushtria amerikane po punon me forcat irakiane dhe qeverinë e Irakut për të shtuar sigurinë në zgjedhjet e së djelën, ndërkohë që vazhdojnë sulmet e përditshme të kryengritësve. Komandantët amerikanë thonë se forcat irakiane do të kenë një rol kryesor ditën e zgjedhjeve, por koalicioni do të ketë forca të specializuara për të ndërprerë apo për t’iu ndërgjigjur ndaj çdo sulmi.

Kryengritësit në Irak po i përmbushin parashikimet dhe angazhimin e tyre për të shtuar dhunën gjatë ditëve para zgjedhjeve. Ka shqetësime se kryengritësit do të realizojnë edhe kërcënimin për të penguar zgjedhjet edhe ditën e votimit. Rezultati është një përpjekje madhore për sigurinë ku përfshihen forca të huaja, ushtria e sapo krijuar e Irakut dhe njesitë policore.

“Forcat irakiane të sigurimit do të marrin drejtimin,” thotë Gjenerali i marinsave amerikanë John Satler, i cili komandon forcat e koalicionit në shumicën e provincave perendimore të Bagdatit, përfshi qytetet e Faluxhas dhe Ramadit në atë që njihet si Trekëndëshi Suni.

“Në rastet kur është e mundur forcat irakiane do të kenë nën kontroll kordonin e brendshëm. Ato do të kenë në dorë sigurimin fizik brenda qendrave të votimit. Por ne do të jemi aty ku do të nevojitemi dhe do të lëvizim aty ku duhet ndërkohë që do të zhvillohen zgjedhjet,” thotë gjenerali Satler.

Zyrtarët thonë se kjo përqasje do të jetë e përherëshme për operacionet e ardhëshme të sigurimit në Irak me intensifikimin e stërvitjes së forcave irakiane në mënyrë që ato të marrin rolin drejtues në më shumë situata. Gjenerali Satler dhe komandantët e tjerë të koalicionit në pjesë të tjera të Irakut thonë se pikësynimi i tyre është të ndihmojë në sigurimin e vendit në mënyrë që irakianët të kenë mundësinë të votojnë pa marrë përsipër zgjedhjet. Ata janë përfshirë gjithashtu në planet e sigurimit dhe në operacionet kundër kryengritësve para zgjedhjeve.

Majori i ushtrisë amerikane, gjenerali John Batiste komandon forcat e koalicionit në katër provinca në veri dhe lindje të Bagdatit, përfshi pjesën tjetër të Trekëndëshit Suni dhe vende të tjera që mbështesin kryengritësit si Samara dhe Tikriti.

“Është e rëndësishme që këto zgjedhje të jetë zgjedhje të Irakut, për irakianët dhe nga irakianët. Është e rëndësishme që 43 mijë forcat irakiane të sigurimit në zonën time janë në kontroll, në operacionet e sigurimit në katër provincat. Ne sigurisht që do t’i mbështesim,” thotë gjenerali Batiste.

Të dy gjeneralët thanë se zgjedhjet do të jenë të suksesshme në zonat e tyre në verilindje dhe perëndim të Irakut dhe se ata që duan të votojnë do ta kenë këtë mundësi. Por ekspertët parashikojnë se do të ketë një numër të vogël votuesish në pjesët e populluara nga anëtarët e pakicave suni, pjesësisht pasi udhëheqësit suni kanë bërë thirrje për bojkot dhe pjesërisht nga shqetësimet e sigurimit.

Ekspertja Marina Ottaway e Fondacionit Carnegie për Paqen në Botë thotë se pavarësisht nga përpjekjet e sigurimit, frika e terrorizmit do të ketë ndikim në zgjedhje.

“Mund të themi me siguri se nuk do të ketë sigurim të mjaftueshëm në qytetet kryesore të trekëndëshit suni pasi mendoj se është përtej mundësive të focave amerikane dhe irakiane ta realizojnë një gjë të tillë. Pika kryesore e këtyre zgjedhjeve është se do të jenë shumë, shumë problematike në disa zona që janë të rëndësishme, pra në zonat ku veprojnë kryengritësit,” thotë analistja Ottoway.

Zonja Ottaway thotë se megjithë përpjekjet e sigurimit dhe për t’i bindur irakianët suni të votojnë, shumica e tyre do të shohin se pikëpamjet e tyre nuk do të përfaqësohen sa duhet në qeverinë e re irakiane.

Komandantët amerikanë në Irak presin që sulmet e kryengritësve të vazhdojnë këtë javë, ditën e zgjedhjeve dhe më tej. Shkalla e suksesit që ata dhe homologët e tyre irakianë do të kenë për të vendosur sigurinë për zgjedhjet do të jetë një faktor madhor në përcaktimin e rezultatit të votimeve. Dhe ekspertët thonë se numri i votuesve do të jetë një faktor kryesor nëse shumica e irakianëve, veçanërisht pakica suni do të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG