Lidhje

Shqipëri: Dëbora bllokon zonat veriore dhe verilindore - 2005-01-28


Në Shqipëri vazhdon gjendja e rënduar për shkak të vështirësive të motit të ftohtë dhe me dëborë. Qeveria miratoi të premten një fond prej më shumë se 400 mijë dollarëve për të blerë ushqime-bazë, të cilat do të shpërndahen falas në shumë zona të veriut, më të prekurat nga reshjet e mëdha të ditëve të fundit. Për shpërndarjen e tyre do të angazhohen edhe helikopterët e ushtrisë shqiptare për fshatrat që janë tërësisht të izoluara. Ndërkohë shumë akse rrugore vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe mjete të shumta janë angazhuar për hapjen e tyre. Policia ka përsëritur thirrjet për drejtuesit e mjeteve që të mos lëvizin pa zinxhirë.

Që prej disa ditësh Shqipëria po jeton e mbërthyer nga i ftohti dhe reshjet e mëdha të dëbores që kanë mbuluar zona të tëra nga veriu në jug. Fshatra të tëra, kryesisht në verilindje, janë tashmë tërësisht të izoluara dhe po ndjehen nevojat e para për ushqime e barna. Për t’i bërë ballë kësaj gjendjeje qeveria gjatë mbledhjes së sotme vendosi të akordojë një fond prej mbi 400 mijë dollarësh me anë të të cilit do të blihen ushqime baze të cilat do të shpërndahen falas. Sipas vendimit për këtë do të angazhohen përvec strukturave locale dhe ato qëndrore edhe helikopterët e ushtrisë në fshatrat ku është i pamundur lëvizja e mjeteve. Ndihmat do të shpërndahen në 75 komuna në zonat e Tropojës, Kukësit, Hasit, Pukës, Malësisë së Madhe, Mirditës, Dibrës, Burrelit e Bulqizës, që janë edhe më të prekurat.

Në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të shkaktojë edhe viktima janë vënë srukturat e shëndetësisë, rrugëve, mbrojtjes dhe rendit. Mjete të ushtrisë janë angazhuar së bashku me ato të rrugëve për zhbllokimin e akseve rrugore dhe pastrimin e tyre nga dëbora. Në mënyrë të vazhdueshme policia po njofton për situatën e qarkullimit duke bërë të ditur mundësitë e qarkullimit. Në shumë pjesë ajo po shoqëron lëvizjen e mjeteve ose njoftohet për mbërritjen e tyre në destinacion në mënyrë që të mos mbeten të bllokuara. Patrulla të policisë po kontrollojnë akset rrugore për t’i dhënë ndihmë mjeteve që mund të gjenden në vështirësi. Strukturat e rendit po përsërisin thirrjet për drejtuesit e mjeteve në zonat e rrezikuara që të lëvizin me kujdes duke respektuar normat e qarkullimit. Në të gjitha akset rrugore të mbuluara nga dëbora policia nuk lejon të kalojë asnjë makinë që nuk është e pajisur me zinxhirë. Thirrje po u bëhen edhe banorëve të zonave të izoluara që të heqin dëborën nga çatitë e shtëpive të tyre për të shmangur shembjet e mundshme.

Ndërkaq, në ndihmë të popullatës së rrezikuar, janë vënë të premten edhe helikopterët e ushtrisë shqiptare. Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes fluturoi pasdite në drejtim të komunës malore të Shoshit, në rrethin e Shkodrës, për të shpëtar jetën e një gruaje të sëmurë rëndë. Një tjetër helikopter i ushtrisë fluturoi të premten në drejtim të komunës së Fierzës, në rrethin e Pukës, por pa mundur të ulet për shkak të stuhisë dhe rreshjeve të mëdha të dëborës, e cila në këtë komunë kanë arritur në mbi dy metër lartësi. Helikopteri u detyrua të kthehej, pa mundur të evakuojë një familje 7-antarëshe, shtëpia e të cilëve u shemb nga një ortek dëbore.

Ndërkohë, Kryetari i Qarkut të Kukësit, ku situata është më kritike, Asllan Ndoka, tha se të gjitha rrugët rurale vazhdojnë të jenë të bllokuara, ndërsa rruga kombëtare Kukës-Fushë-Arrës, bllokohet herëpashere nga stuhitë e dëborës dhe orteqet. 12 orteqe kanë rënë deri tani në këtë aks të rëndësishëm rrugor, që lidh Shqipërinë me Kosovën. Sipas zotit Ndoka, lëvizja në drejtim të Tiranës dhe të Kosovës bëhet me shumë vështirësi. “Rruga kryesore Kukës - Fushë-Arrës është njëkalimshme dhe kalohet vetëm autokolonë, e shoqëruar nga policia dhe nga një mjet borë-patrues që prin përpara. Komunat e tjera janë të gjitha të bllokuara. Një pjesë e komunave të rrethit të Hasit i kane rrugët të hapura dhe dy komuna të rrethit të Tropojës. Ministria e Pushtetit Vendor ka akorduar një fond prej 14 milion lekësh për ndihma ushqimore dhe një fond tjetër prej 3,5 milion lekësh për zhbllokimin e rrugëve. Fondi për ndihmat ushqimore do të shpërndahet për të gjithë komunat sipas gjendjes së tyre.”

Problematike është situata edhe në rrugën kombëtare Bulqizë - Peshkopi dhe Bajram Curr - Qafë Morinë. Gjatë 5 ditëve të fundit, thuajse është paralizuar lëvizja dhe tregtia nëpër pikkalimet kufitare në Morinë të Kukësit, në Bllacë të Dibrës dhe në Qafë Morinë të Tropojës.

Po të premten, nga qyteti i Pukës, u nis në drejtim të Shkodrës një karvan me automjete tregtarësh, në përpjekje për të tërhequr artikuj ushqimore për popullatën e izoluar nga dëbora. Karvani i tregtarëve pukjanë u shoqëruan nga forcat e policisë dhe fadromat borëpastruese.//az//

XS
SM
MD
LG