Lidhje

Rajs: Diplomacia amerikane të shfrytëzohet për krijimin e një balance forcash në favor të lirisë - 2005-01-28


Presidenti Bush ishte të premten në Departamentin e Shtetit për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të ish-këshilltares së tij për sigurimin kombëtar, Kondoliza Rajs si Sekretarja e re e Shtetit. Zonja Rajs tha se diplomacia amerikane duhet të shfrytëzohet për të krijuar një balancë forcash që i shërben lirisë.

Në realitet, zonja Rajs bëri betimin të mërkurën në një ceremoni të mbyllur për publikun, menjëherë pasi kandidatura e saj u konfirmua nga Senati. Por ceremonia e bërjes së betimit u përsërit edhe të premten në selinë e Departamentit të Shtetit.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti Bush, anëtarë të Kongresit dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Washington. Ceremoninë e kryesoi anëtarja e Gjykatës së Lartë Ruth Bader Ginsburg, fqinje dhe mike e Sekretares së re të Shtetit.

Zonja Rajs është afrikano-amerikania e dytë që merr postin e Sekretares së Shtetit, pas paraardhësit të saj Kolin Powell dhe gruaja e dytë në këtë post pas Sekretares së Shtetit gjatë administratës së dytë të presidentit Klinton, Madeleine Albright.

Në komentet e tij presidenti Bush tha se Kondoliza Rajs ka një besim të patundur në fuqinë e demokracisë për të siguruar drejtësi dhe liri si dhe për përfshirjen e njerëzve të të gjitha racave dhe besimeve në “rrugën që vendet e lira përcaktojnë për vete,” siç u shpreh presidenti.

Ai tha se këto bindje do të konfirmohen nga populli i Irakut kur të hedhë votën e tij të dielën në zgjedhjet e para të lira në disa dekada, një ngjarje të cilën presidenti e cilësoi si një shembull të fuqishëm për reformatorët në mbarë Lindjen e Mesme.

Duke përmendur zgjedhjet e fundit në Afganistan, Ukrainë dhe në territoret palestineze, presidenti tha se liria po marshon, megjithëse ndeshet me qëndresë nga armiqtë e saj përfshirë edhe kryengritësit irakianë:

“Urrejtja dhe radikalizmi nuk mund t’i mbijetojnë afrimit të lirisë dhe të vet-qeverisjes. Vendi ynë do të jetë më i sigurtë, bota do të jetë më paqësore me përparimin e lirisë. Kondi Rajs e kupton këtë. Edhe terroristët e kuptojnë mirë këtë, prandaj po sulmojnë tani civilët irakianë në përpjekje për të sabotuar zgjedhjet. Ne përshëndesim guximin e irakianëve të thjeshtë, të cilët nuk pranojnë t’ia dorëzojnë të ardhmen e tyre këtyre vrasësve,” tha presidenti.

Nga ana e saj zonja Rajs ritheksoi temat që ngriti presidenti në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit javën e kaluar, në të cilin paraqiti një vizion të përhapjes së demokracisë dhe mposhtjes së tiranisë në mbarë botën.

Sekretarja e re tha se Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bush ishin mobilizuar për të përballuar sfidat që pasuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe se diplomacia amerikane duhet të shfrytëzohet tani për të ndihmuar në krijimin e një baraspeshe forcash në të mirë të lirisë:

“11 Shtatori 2001 na bëri të gjithëve të shohim më qartë se kurrë se si vlerat tona dhe interesat tona ndikohen nga zhvillime në mbarë globin. Ajo ditë zjarri na ndihmoi të shohim se rruga më e mirë për të arritur një botë paqësore dhe me shpresë është duke ndërtuar një botë të lirë. Ne nuk kërkojmë thjesht zhdukjen e terrorizmit. Ne kërkojmë një botë ku të triumfojnë aspiratat për liri të çdo burri dhe gruaje,” tha Sekretarja e re e Shtetit.

Zonja Rajs, siç duket në përgjigje të kritikave se fjalimi i presidentit Bush me rastin e inaugurimit nënkuptonte një angazhim agresiv nga ana e Shteteve të Bashkuara për të imponuar vlerat e tyre, tha se ka ardhur koha për diplomaci dhe se instrumenti parësor i politikës së jashtme të administratës amerikane do të jetë Departamenti i Shtetit.

Zonja Rajs fillon javën e ardhshme udhëtimin e saj të parë si Sekretare Shteti jashtë vendit. Ajo do të zhvillojë një turne 8 ditësh në Evropë dhe Lindjen e Mesme, i cili synon të ndreqë marrëdhëniet e acaruara me aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe të nxisë zhvillimet premtuese në procesin e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

XS
SM
MD
LG