Lidhje

Rajs: Amerika nuk dëshiron ta izolojë popullin iranian - 2005-01-29


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, thotë se Irani nuk mund të jetë një pjesëmarrës i përligjshëm në politikat ndërkombëtare nëse vazhdon përpjekjet për të siguruar armë bërthamore: “Është shumë e rëndësishme për botën që Irani të mos pajiset me armë bërthamore. Ne, theksoi Sekretarja Rajs, po punojmë nga afër me Bashkimin Evropian në këtë drejtim.”

Por, përveç vendosmërisë për të siguruar armë bërthamore, me regjimin klerik të Iranin ka edhe probleme të tjera, thotë zonja Rajs: “Është shumë e vështirë të gjenden interesa të përbashkëta me një qeveri që mendon se Izraeli duhet të zhduket, me një qeveri që mbështet Hezbollahun dhe organizata të tjera të vendosura për të minuar paqen në Lindjen e Mesme që ne po përpiqemi të arrijmë, për të mos përmendur këtu një qeveri teokratike, pikëpamja e së cilës është që mullahët duhet të sundojnë, një qeveri që mban një qendrim të neveritshëm ndaj të drejtave të njeriut, një qeveri që i trajton qytetarët e saj, gratë e saj në atë një mënyrë. Ky nuk është një regjim, me të cilin ne kemi shumë interesa të përbashkëta.”

Por, zonja Rajs theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë ta izolojnë popullin iranian: “Ai është një popull që duhet të jetë në kontakt me botën.”

“Populli iranian, thotë Kondoliza Rajs, vuan nën një qeveri krejtësisht të pavullnetshme për të realizuar aspiratat e tij. Shtetet e Bashkuara, shtoi ajo, duhet të përdorin diplomacinë amerikane për të ndihmuar në krijimin e një barazpeshe pushteti në botë që favorizon lirinë.”

XS
SM
MD
LG