Lidhje

Irakianët sfidojnë rrezikun, votojnë në zgjedhjet e para të lira që prej gjysmë shekulli - 2005-01-30


Një numër i madh irakinësh kurajozë nuk i përfillën kërcënimet e kryengritësve dhe shkuan sot për të hedhur votën e tyre - zgjedhjet e para të lira të vendit në rreth 50 vjet.

Qendrat e votimit u mbyllën në orën tre pasdite, por zyrtarët e zgjedhjeve thanë se edhe njerëzit që rrinin në radhët e gjata para mbylljes së kutive të votimit, patën rastin të votojnë.

Megjithë frikën për dhunën, shumë irakianë kishin marrë me vete fëmijët e tyre në qendrat e votimeve, për të qenë dëshmitarë të votimeve historike.

Në disa lagje në Irakun verior dhe atë jugor, atmosfera ishte festive dhe irakianët shprehnin gëzimin e tyre gjatë votimit. Kryeministri i Përkohshëm Iyad Allawi, që votoi në Zonën e Gjelbërt nën masa të rrepta sigurie, tha se zgjedhjet janë fillimi i një epoke të re në Irak.

Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme me rastin e zgjedhjeve. Mbrojtjen e qendrave të votimit, e kishin marrë përsipër ushtria irakiane, Roja Kombëtare dhe forcat e policisë.

Por, megjithë masata e rrepta të sigurisë, Ministria e Brendshme tha se sot u vranë 30 civilë dhe 6 policë, shumica në sulme vetëvrasëse me bombë.

Në një mesazh në internet, grupi i udhëhequr nga terroristi i kërkuar Abu Musa al-Zarqawi, mori përgjegjësinë për shtatë nga sulmet. Më tepër se 5 mijë qendra votimi u hapën për votimet, ku morën pjesë 14 milionë irakianë të ligjshëm për të votuar.

XS
SM
MD
LG