Lidhje

Berisha në Nju Jork: SHBA të dërgojnë vëzhgues për zgjedhjet! - 2005-02-01


Udhëheqësi i partisë më të madhe të opozitës në Shqipëri, ish-presidenti Sali Berisha, thotë se korrupsioni në vend, që ka përfshirë edhe vetë qeverinë shqiptare, po minojnë zbatimin e ligjit në Shqipëri. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në New York, Barbara Schoetzau njofton se zoti Berisha, po u kërkon Shteteve të Bashkuara të dërgojnë vëzhgues, për t’u siguruar që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta:

Zoti Berisha e solli fushatën e tij zgjedhore në New York, ku tha se nevojiten ndryshime dramatike për ta kthyer Shqipërinë në rrugën drejt një qeverie demokratike.

Zoti Berisha ishte president i Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997, kur qeveria e tij drejtoi një numër reformash ekonomike dhe politike. Por tani, thotë ai, reformat po bllokohen dhe Shqipëria paraqitet si një shtet që ka dështuar në disa aspekte që janë matësit për sundimin e ligjit në vend. Zoti Berisha thotë se zgjedhjet e lira dhe të drejta janë jetike për qëndrueshmërinë e Shqipërisë në të ardhmen dhe për anëtarësimin e saj në NATO. Zoti Berisha kërkon që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë vëzhgues gjatë zgjedhjeve në Shqipëri.

"Vëzhgimi i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm, për ta penguar qeverinë që t’i dhunojë ato. Në se zgjedhjet do të jenë të drejta dhe të lira, unë zotohem se do ta njoh rezultatin e tyre, cilido qoftë ai. Për mua më e rëndësishme për vendin tim, është që të zgdhjet të jenë të lira"- tha Sali Berisha.

Vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën mungesa serioze në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 dhe në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar pati ngatërresa nga akuzat për mashtrime me votat.

Zoti Berisha thotë se në Shqipëri korrupsioni ka arritur në nivele të larta të qeverisë, duke shkurajuar në këtë mënyrë investimet e huaja, aq të nevojshme për vendin. Ai thotë se papunësia në vend ka arritur në shifrën 40 për qind dhe 100 mijë shqiptarë kanë emigrurar jashtë vendit. Trafiku i drogës dhe krimi, thotë ai, po bëhen elementi kryesor i jetës ekonomike në Shqipëri.

"Ne shqiptarët përmendemi në Evropë si një eksportues i madh i krimit. Krimi i organizuar i Shqipërisë është një ndër më të rrezikshmit në Evropë. Shqipëria është bërë një rrugë kryesore e trafikimit, veçanërisht si rrugë kalimi për drogat nga Afgansitani, që shkojnë drejt Perëndimti. Kostoja e drogave është më tepër se 2 miliardë dollarë, sipas Departamentit amerikan të Shtetit. Në këtë aspekt, nevojitet të bëhet një ndryshim dramatik, për shkak se krimi i organizuar ka lidhje me pushtetarët. Ky është një fakt tashmë i njohur," - tha Sali Berisha.

Zoti Berisha thotë se ligjet për të luftuar korrupsionin ekzistojnë, por ato janë të pavlefshme, në se nuk respektohen. Ai thotë se e ardhmja e Shqipërisë është e zymtë, pa ndihmën nga jashtë për vendosjen e zbatimit të ligjit.

XS
SM
MD
LG