Lidhje

Kosova dhe statusi i saj  - 2005-02-01


Analistët politikë në Uashtingon dhe gjetkë janë të mendimit se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës duhet të jetë një nga përparësitë kryesore të Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar këtë vit, para se të jetë shumë vonë për të parandaluar ndonjë tragjedi. Instituti Amerikan i Paqes organizoi dje një diskutim mbi faktorët kryesorë dhe rrugën që duhet ndjkur për përcaktimin e të ardhmes së Kosovës.

Alex Anderson, Drejtor i Projektit për Kosovën të Grupit Ndërkombëtar për Parandalimin e Krizave me qendër në Bruksel, theksoi se me rritjen e tensioneve në Kosovë dhe Sërbi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojnë vemedje të posaçme dhe sa më parë zgjidhjes së statusit të Kosovës, para se gjendja të dalë jashtë kontrollit dhe të bëhet kërcënuese për investimet amerikane dhe evropiane në stabilizimin e shteteve shumë-etnike në gjithë rajonin e Ballkanit. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, nuk e zgjidhi konfliktin shqiptaro-sërb, tha zoti Anderson, ajo solli fenomenin e një “lufte të ngrirë”, siç e përkufizoi ai gjendjen.

“Është me shumë rëndësi që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë në këtë fazë autoritetin e tij, është me shumë rëndësi që tani komuniteti ndërkombëtar të paktën të përjashtojë disa opcione që do të ndihmonin në negocimin dhe manaxhimin e procesit këtë vit, dhe pikërisht të bëhet përparin i dukshëm në trajtimin e pakicave, Kosova të mos kthehet në asnjë mënyrë nën sundimin e Beogradit, të mos ketë copëtim të teritorit, Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë, megjithëse kjo nuk është në rendin e ditës as në Tiranë dhe as në Prishtinë".

Por një pikëpamje krejt tjetër për çështjen e Kosovës, shprehu Steven Meyer, profesor i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes. Ai tha se gjendja në Kosovë është shembull i një shoqërie ku, sipas fjalëve të Thomas Hobbsit, “jeta është e hidhur, brutale, e varfër dhe e shkurtër”. Profesor Meyer tha se mbrojtja e pakicave është dhe mbetet një nga detyrimet më kryesore për udhëheqjen e Kosovës, aspekt në të cilën ajo ka dështuar. Presioni për pavarësinë e Kosovës, që bëhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thotë ai, është në fakt një akt copëtimi i shtetit sërb, dhe kur lejohet një gjë e tillë për një shtet përse të mos pranohet ajo për Kosovën që është në fakt pjesë e Sërbisë dhe Malit të Zi. Perëndimi, tha më tej Steven Meyer, ka vendosur kufij për leverdinë e tij politike dhe ekonomike dhe kërkon që të gjithë të tjerët t’i shikojnë ato nëpërmjet syve të tij. Nuk ka asnjë arsye theksoi ai që kufijtë të mbeten të paprekshëm. Por cila është zgjidhja e çështjes së Kosovës, sipas Profesor Meyerit?

“Nuk ka zgjidhje ideale për këtë çështje. Ajo është një ide fiktive e perëndimit. Amerikanëve u pëlqen t’i bëjnë gjërat shpejt, por kjo sjell pasaktësi. Dhe kështu ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhë me këtë çështje. Vështirësitë që kanë grupet etnike në rajon duhen parë më në thellësi, gjë të cilën perëndimi nuk e ka bërë”.

Profesor Meyer tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës u përket evropianëve dhe Evropa duhet ta bëjë atë përparësinë e saj kryesore, ndërsa Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen prej andej.

Kjo ide e Steven Meyerit u kundërshtua prerazi si nga Alex Anderson, i Grupit Ndërkombëtar për Parandalimin e Krizave, ashtu edhe Ylber Hysa, kryetar i Lëvizjes Ora dhe anëtar i Këshillit kalimtar të Kosovës, i cili ndodhet në Institutin amerikan të paqes në kuadrin e programit të shkëmbimeve akademike, Fulbright. Zoti Hysa shprehu edhe në këtë rast bindjen e tij për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe shumëetnike. Ai tha se ky proces mund të shkojë përpara vetëm nën drejtimin e sinkronizuar të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Duket qartë se Kombet e Bashkura nuk janë në gjendje të luajnë rolin udhëheqës në këtë proces siç sugjerohet në raportin e Grupit për Parandalimin e Krizave. Në këtë aspekt është në interes të çështjes që Shtetet e Bashkuara në partneritet me Bashkimin Evropian të udhëheqin procesin, me Shtetet e Bashkuar në rolin kryesor. Natyrisht që rruga e Kosovës dhe Sërbisë është drejt Evropës së Bashkuar, të paktën në fazën fillestare, roli i Uashingtonit është i domosdoshëm për t’i dhënë drejtimin e duhur procesit”.

Megjithë pikpamjet e ndryshme të analistëve dhe debatet e shumta në nivele akademike për statusin përfundimtar të Kosovës, mbetet për t’u parë se kur lojtarët kryesorë dhe të fuqishëm të arenës ndërkombëtare do të shprehen dhe do të veprojnë lidhur me të. Në Kongresin amerikan është paraqitur përsëri rezoluta Lantosh-Hyde për pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG