Lidhje

Historik i shkurtër i fjalimit vjetor të presidentit amerikan mbi gjendjen e vendit - 2005-02-02


Presidenti Bush do të mbajë sonte fjalimin për gjendjen e vendit, ku do të shpallë objektivat për mandatin e tij të dytë presidencial. Shtëpia e Bardhë thotë se në fjalimin e tij zoti Bush do të trajtojë barabar si çështjet e brendëshme ashtu edhe ato të jashtme, si dhe do të japë më shumë follësi për objektivat e shprehura në fjalimin me rastin e inagurimit për mandatin e tij të dytë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se Presidenti do të ndalet në mënyrë të veçantë në zgjedhjet e së dielës në Irak si dhe në votimet e suksesshme të zhvilluara në Afganistan dhe në territoret palestineze. Por nuk pritet që Presidenti Bush të shpallë ndonjë afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. Disa ligjvënës i kanë bërë thirrje presidentit të parashtojë strategjinë e largimit nga Iraku. Lidhur me çështjet e Brendëshme, presidenti do të japë më shumë hollësi për planet e tij për reformimin e sistemit të pensioneve. Pas fjalimit të Presidentit, udhëheqës të Partisë Demokrate të opozitës do të mbajnë fjalimin e tyre në përgjigje të fjalimit të presidentit.

Fjalimi i Presidenmti Xhorxh Bush para dy dhomave të Kongresit amerikan është vazhdim i një tradite të gjatë në marrëdhëniet mes degëve legjislative dhe ekzekutive të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Sipas kushtetetutës amerikane, Presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të komunikojë herë pas here me Kongresin lidhur me gjendjen e vendit dhe çështje të tjera të cilat ai i konsideron të rëndësishme, të domosdoshme dhe të dobishme. Kushtetuta nuk jep udhëzime të tjera, por mesazhi i presidentit që tani quhet fjalimi mbi gjendjen e vendit është bërë ritual politik vjetor.

Kjo traditë filloi me presidentin parë, Xhorxh Uashingtonin, i cili paraqiste mesazhet vjetore personalisht. Mirëpo paraqitja personalisht e këtij masazhi nuk u favorizua nga presidenti i tretë amerikan, Tomas Xhefersoni. Profesori i Universitetit amerikan, Alen Litman shpjegon se Presidenti Xheferson mendonte se dalja e tij personalisht para Kongresit i përngjante një sjelljeje mbretrore.

“Kështu më 1801 Presidenti Jefferson vendosi të mos paraqitet personalisht para kongresit, por ta dërgonte mesazhin e tij vjetor me shkrim .....Që nga Jeffersoni, presidentët vazhduan shembullin e tij duke dërguar mesazhet vjetore me shkrim para Kongrsit deri sa në skenën politike amerikane erdhi një udhëheqës i madh, e ky ishte Presidenti Woodrow Wilson,” thotë profesori Litman.

Presidenti Uilson shkoi personalisht në Kongres më 1913 për të paraqitur propozimet e tij për rregulloret ekonomike. Presidenti tjetër që u paraqit personalisht në Kongres për këtë qëllim ka qenë Franklin Ruzvelt, fjalimi vjetor i të cilit ishte i pari që u transmetua në radio.

Stiven Uein është ekspert i presidencës amerikanë pranë Universitetit Xhorxhtaun në Washington.

“Fjalimi vjetor mbi gjendjen e vendit i shërben presidentit të përcaktojë programin për Kongresin dhe t’i parashtrojë popullit amerikan arittjet e tij dhe planet për të ardhmën. Kjo është pjesë e traditës sonë politike. Ky fjalim vjetor manifestohet me njëfarë ceremonie që zakonisht shkon në favor të Presidentit,” thotë profesori Uein.

Profesori Alen Litman i Universitetit Amerikan shprehet

“Çdo politikan i shkathët e di se nëse do të ketë rast për të mbajtur një fjalim të rëndësishem, nuk u drejtohet vetëm anëtarëve të Kongresit, por gjithë popullit amerikan. Dhe me të vërtetë, të gjithë presidentit i kanë përdorur masazhet e tyre vjetore mbi gjendjen e vendit, jo thjesht për të informuar Kongresin, por për të bindur publikut,” thotë zoti Litman.

Në fakt, Presidenti Abraham Linkoln e përdori mesazhin e tij vjetor për të bërë ndërmarrë e parë kundër skllavërisë, duke thënë se po të mos kishte skllavëri nuk do të kishte as Luftë Civile në Amerikë. Bile edhe Franklin Ruzvelt e njoftoi Billin e të Drejtave Ekonomike në njërin prej fjalimeve të tij mbi gjendjen e vendit. Edhe Harry Truman shkoi para Kongresit për të paraqitur programin e tij të quajtur “Një marrëveshje e drejtë”, kurse Lindon Xhonson në vitit 1960 propozoi ligje të reja për të drejtat civile si mënyrë për të zhdukur varfërinë.

“Dhe këtu, sot dhe menjëherë kjo administratë po i shpall luftë pa kushte varfërisë në Amerikë,” tha presidenti Xhonson.

Pritet që Presidenti Xhorxh Bush të paraqesë programet e tij ambicioze mbi çështje të politikës së jashtme dhe të brendëshme, për të shpenzuar kapitalin politik që ai thotë se e ka fituar në zgjedhjet e fundit. Çfarëdo që të propozojë Presidenti Bush, ai do të pritet me brohoritje të stuhishme nga partia e tij republikane e me më pak entuziazëm nga anëtarët e partisë Demokrate të opozitës.

XS
SM
MD
LG