Lidhje

Bush: Amerika do të qendrojë në Irak derisa të përfundohet puna - 2005-02-03


Dy javë më parë, Presidenti Bush shprehu edhe një herë angazhimin e Amerikës që të gjithë popujt të realizojnë endërrën e lirisë. Në fjalimin e mbrëmshëm për gjendjen e vendit, ai i paraqiti Kongresit dhe popullit amerikan politikat për avancimin e këtij ideali në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë. Presidenti Bush i vuri së pari theksin rritjes ekonomike të vendit dhe gjallërimit të institucioneve në të cilat mbështeten miliona qytetarë të vendit. Një nga institucinet me të rëndësishëm të Amerikës, tha ai, janë Sigurimet Sociale, që kanë nevojë për një reformim të matur dhe efektiv. Sigurimet sociale, janë në rrugën e falimentimit, prandaj ne duhet të bashkohemi për t’i forcuar dhe shpëtuar ato. Presidenti u zotua se do të punojë me anëtarët e Kongresit për të përcaktuar reformat që do të japin më tepër rezultat.

Zoti Bush tha se ndër vlerat që e bëjnë të fuqishme amrikanën janë nxitja e një kulture për ta dashur jetën dhe për ta shtrirë dhimbshurinë e Amerikës tek komunitetet e ndryshme dhe organizatat fetare që ndihmojnë qytetarët që kanë më shumë nevojë: “Përgjegjësia jonë e dytë e madhe për brezat e ardhshëm është të respektojmë dhe t’u lëmë trashëgim atyre virtutet që janë në themel të një shoqërie të lirë. Qeveria nuk është burimi i këtyre vlerave, dhe qeveria nuk duhet t’i minojë ato”.

Përgjegjësia jonë e tretë, tha më tej Presidenti Bush, është fitorja e luftës kundër terrorizmit duke mbështetur përhapjen e lirisë në mbarë Lindjen e Mesme dhe në gjithë botën. Ai tha se brezat e ardhshëm duhet të jetojnë në një vend pa rreziqe, në një vend paqësor, ku fëmijët tanë të gëzojnë të gjitha liritë që ne kemi, dhe më kryesorja ndër to është çlirimi nga frika.

Presidenti Bush i bëri thirrje popullit amerikan që të mbështesë ushtrinë për t’i dhënë kështu asaj mjetet e fitores. Presidenti u zotua se adminsitrata e tij do të vazhdojë të krijojë koalicione për të triumfuar mbi rreziqet e kohës tonë: “...Paqja që ne kërkojmë mund të arrihet vetëm duke eliminuar kushtet që nxisin radikalizmin dhe ideologjitë e vrasjes... E vetmja forcë mjaft e fuqishme për të ndalur tiraninë dhe terrorin dhe për të zevendësuar urrejtjen me shpresë, është forca e lirisë njerëzore”.

Presidenti Bush tha se objektivi i bashkëekzistencës paqësore të shtetit izraelit me atë palestinez është i realizueshëm në një të ardhme të afërt dhe Amerika do t’i ndihmojë ata. Për të nxitur paqen dhe stabilitetin në mbarë Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me miqtë e tyre në rajon për të luftuar kërcënimin nga terrori, ndërkohë që ne mbështesim një standard më të lartë të lirisë.

Angazhimi i brezit tonë për avancimin e lirisë, tha presidenti Bush, veçanërisht në Lindjen e Mesme, po provohet dhe respektohet në Irak. Amerika do ta realizojë me sukses misionin e saj sepse populli irakian e vlerëson lirinë e tij, ashtu siç i tregoi botës të djelën e kaluar.

Gjendja e re politike në Irak hap një fazë të re për punën tonë në këtë vend dhe ne do t’i përqendrojmë përpjekjet tona, tha Presidenti Bush për të ndihmuar në përgatitjen e forcave irakiane të sigurimit, me oficerë të aftë dhe me një strukturë efikase komanduese: “Ne mbështesim lirinë e miqve tanë irakianë, liria e Irakut do ta bëjë Amerikën më të sigurt për brezat e ardhshëm. Ne nuk do të caktojmë një afat artificial për t’u larguar nga Iraku, sepse një gjë e tillë do t’i bënte terroristët të besonin se mund të na dëbojnë sëandejmi. Ne jemi në Irak për të plotësuar një qëllim: Ndërtimin e një vendi demokratik, që përfaqëson të gjithë qytetarët e vet, që jeton në paqe me fqinjët dhe i aftë të vetëmbrohet. Dhe kur të arrihet ky objektiv, forcat tona, burra dhe gra, që shërbejnë në Irak do të kthehen në shtëpitë e tyre me nderimin dhe respektin që kanë fituar”. Vullnetarët e ushtrisë tonë, theksoi Presidenti Bush, janë të paepur në betejë, të patundur në besnikërinë e tyre, të pashembullt në nderin dhe integritetin e tyre, dhe çdo ditë ata po e bëjnë vendin më të sigurt.

XS
SM
MD
LG