Lidhje

Nano: Nevojitet më shumë punë në luftë kundër akteve kriminale - 2005-02-03


Kryeministri Fatos Nano tha sot se Shërbimeve sekrete u mbetet shumë punë për të bërë përballë numrit të pandryshueshëm të akteve kriminale që, siç tha ai, i kanë shpëtuar ndëshkimit ligjor, por edhe përballë pasojave që vazhdon të sjellë në ekonominë e vendit informaliteti. Për këtë arsye zoti Nano kërkoi në mënyrë urgjente formimin e bashkëpunimit me shërbimet e brendshme të Rendit, Mbrojtjes dhe doganave e tatimeve. Këto komte zoti Nano i bëri duke prezantuar kreun e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror Bahri Shaqiri, i cili u dekretua dje nga presidenti Alfred Moisiu.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh sot i kënaqur nga puna e kryer nga Shërbimet sekrete duke gjetur kështu edhe një mënyrë tjetër për të vlerësuar ish drejtorin Kujtim Hysenaj i cili ndërroi jetë dy javë më parë pas një sëmundjeje të gjatë.

Kryeministri Nano cilësoi si të një rëndësie parësore miratimin e ligjit për përgjimet e telekomunikacionit, i cili sipas tij nga njëra anë garanton mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe nga ana tjetër është një instrument shumë i fortë në duart e shërbimit të fshehtë për të luftuar krimin e organizuar dhe format e tij të perfeksionuara. Shërbimi informativ deklaroi sot zoti Nano, ka rritur nivelin dhe cilësinë e bashkëpunimit me institucionet partnere brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë të veçantë me partnerë tradicionalë perendimore, jo vetëm në këmbime informacionesh, por edhe në operacione të përbashkëta kundër veprimtarive të rrezikshme kriminale që nga trafiqet e armëve, rrjetet e trafikantëve, zbulimi dhe neutralizimi i elementëve apo i grupeve me prirje apo tendenca terroriste, ekstremiste, apo fondamentaliste.

Megjithatë për kryeministrin Nano vetëm kaq nuk mjafton: "Jo pak detyra mbeten ende për t’u realizuar përballë një numri stagnant aktesh kriminale dhe mbartësve të tyre, që i kanë shpëtuar zbulimit, dokumentimit informativ dhe për pasojë ndëshkimit ligjor. Përballë jo pak pasojave që vazhdojnë t’i vijnë ende ekonomisë së vendit, ekonomisë së shtetasve e të familjeve shqiptare nga informaliteti apo veprimi në zonën e hijes në kufijtë e tregjeve, apo nën dorë".

Sipas kreut të qeverisë jo pak trafiqe e trafikantë vazhdojnë të përshkojnë kufijtë e tregut dhe të territorit në rrugë të paligjshme prandaj ai kërkoi përmirësimin e cilësisë së punës së shërbimeve të fshehta në luftën ndaj krimit të organizuar dhe atij në ekonomi dhe një bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e brendshme të Rendit, Mbrojtjes dhe doganave e tatimeve.

Zoti Nano kërkoi që përvoja e drejtorisë antiterror të merret si shembull dhe nga drejtoritë e tjera. Specialistët e antirrerorit në Shërbimin sekret shqiptar prej vitesh bashkëpunojnë shumë ngushtë me shërbimet amerikane dhe ato angleze, duke realizuar kapjen e disa personave të përfshirë në organizata fondamentaliste.

Që nga dita e mërkurë shërbimi informativ shqiptar drejtohet nga Bahri Shaqiri, 35 vjeç, ish shef kabineti i drejtorit të mëparshëm Kujtim Hysenaj.

XS
SM
MD
LG