Lidhje

Vlerat morale në Amerikë dhe zgjedhjet - 2005-02-04


Kur anketuesit pyetën njerëzit që dolën nga qendrat e votimit në zgjedhjet e vitit 2004, për çështjet më të rëndësishme politike për ta, përgjigjia e 20 për qind të tyre ishte: vlerat morale. Disa analistë e shohin këtë fakt si një provë se shumë amerikanë po anojnë nga konservatorizmi fetar. Një komision veprimtarësh fetarë dhe analistësh politikë diskutuan kohët e fundit mbi këtë çështje në Institutin Brookings të Uashingtonit.

Amerikanët janë një vend besimtarësh: mbi 60 për qind e tyre thonë se feja zë një vend të rëndësishëm në jetën e tyre. Po të bësh një krahasim, vetëm 17 për qind e popullsisë në Britani dhe 28 për qind e kanadezëve, pohojnë një gjë të tillë. Për më tepër, vlerat e fetare duket se ndikojnë në faktin se për cilën forcë politike votojnë amerikanët.

Të krishterët konservatorë pretendojnë se amerikanët nuk janë të kënaqur me liberalizmin seksual, abortin, të drejtat e homoseksualëve dhe për atë që ata e quajnë ateizëm militant të elitave liberale.

Por Xhon Podesta, President i Qendrës për Përparimin Amerikan në Uashington thotë se sipas sondazheve të tjera, shumë amerikanë kanë përparësi të ndryshme morale.

“42 për qind e të anketuarve na thanë se lufta në Irak ishte çështja më e rëndësishme morale me të cilën përballet vendi dhe që ndikoi tek votimi. Kur iu kërkua të përcaktojnë problemet më urgjente morale për vendin sot, 64 për qind e votuesve përmendën ose pangopësinë dhe materializmin ose varfërinë dhe drejtësinë ekonomike”.

Një tjetër pjesëmarrës në diskutimin e Institutit Brookings, Xhim Uollës është një i krishterë evangjelist dhe veprimtar shoqëror. Ai ka botuar së fundmi librin “Politika e Zotit: Pse e djathta e keqinterpreton dhe e majta nuk e kupton fare”. Ai thotë se e djathta në Amerikë përdor çështje si aborti, të drejtat e homoseksualëve dhe vlerat e familjes për të bindur shumë amerikanë të votojnë për republikanët, megjithëse kjo parti, sipas pikëpamjes së tij nuk përfaqëson interesat ekonomike të njerëzve të thjeshtë.

Por zoti Uollës beson se fitoret e republikanëve nuk do ta kenë jetën të gjatë. Njerëzit do ta kuptojnë se feja ka një zë edhe për varfërinë, luftën, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Unë shpesh shtroj pyetjen se si ka mundësi që Jezu Krishti u kthye në favor të të pasurve, të luftës dhe vetëm pro amerikan? Unë jam vetë evangjelist dhe më duket se besimi ynë është grabitur dhe ka ardhur koha ta marrim përsëri. Disa herë na duhet një operacion shpëtimi”.

Brajën Hehir është prift katolik dhe profesor i fesë dhe jetës publike në universitetin Harvard. Ai është në një mendje me Xhim Uollësin se besimi ka qenë shtysë që publiku të mbështesë çështje të ndryshme politike.

Por ai thotë se gjuha e vlerave të përbashkëta morale funksionon më mirë në debatin publik sesa gjuha e besimit, si e vërtetë e padiskutueshme.

“Shumë njerëz vërtet i marrin vlerat e tyre morale nga tradita fetare, por është po aq e vërtetë se shumë njerëz me vlera shumë të forta morale, nuk kanë asnjë lloj bindjeje apo përkatësie fetare”.

Ai shton se të gjithë, si besimtarët ashjtu edhe ateistët duhet të përfshihen në debatet morale me të njëjtën peshë.

Riçard Lend i Kuvendit Jugor Baptist bie dakord se besimi i dikujt nuk mjafton që argumenti i tij të jetë i vlefshëm publikisht. Por ai tha se e ashtuquajtura e djathtë fetare e ka fituar debatin me ata që sipas fjalëve të tij donin ta “përjashtonin fenë nga debati publik”.

“Dhe kur them se e fituam debatin me ateistët fondamentalistë, e kam fjalën për zgjedhjet e vitit 2004, si një lloj prove përfundimtare për një gjë të tillë. Populli amerikan mori vendimin që vlerat fetare të jenë pjesë e politikave publike. Kjo nuk do të thotë as se amerikanët do të anojnë gjithmonë nga konservatorët, as se do të anojnë gjithmonë nga të moderuarit dhe as nga liberalët. Por në shkallë kombëtare ata kanë hedhur poshtë idenë se lloj i kuptuari i shtrembëruar i ndarjes mes kishës dhe shtetit do të thotë se bindjet fetare duhet të zënë një cep në kulturën e përgjithshme”.

Shumë analistë janë të një mendjeje se Amerika përbën në një farë mënyre një përjashtim mes vendeve të zhvilluara, moderne. Besimi këtu nuk po humb terren, siç po ndodh në shumë nga vendet perëndimore, përkundrazi në dekadat e fundit duket se po përhapet më shumë. Analistët thonë se asnjë parti nuk duhet të përpiqet të politizojë fenë. Por ata theksojnë se politikanët nuk duhet ta injorojnë traditën fetare amerikane, nëse duan të gëzojnë besimin e njerëzve.

XS
SM
MD
LG