Lidhje

Zbulohet tentativa për arratisjen e të burgosurve - 2005-02-04


Në Shqipëri sot u zbulua një tentativë për organizimin e arratisjes nga burgu i sigurisë së lartë 302 në Tiranë. Policia zbuloi një tunel të nëndheshëm, afër 12 metra i gjatë punimet për të cilin kishin nisur nga një dyqan përballë godinës ku mbahen të dënuar eksponentët kryesorë të krimit. Tuneli kishte mbërritur deri në brendësinë e oborrit të administratës së burgut. Ende nuk ka hollësi se për cilin nga të dënuarit ishte planifikuar arratisja

Një përpjekje spektakolare për arratisje nga burgu i sigurisë së lartë në kryeqytet është zbuluar sot. Në ndryshim nga të gjitha rastet e mëparshme në burgjet shqiptare por edhe nga ato që herë pas here ndodhin edhe në vende të tjera, skema e planifikuar për arratisjen nga burgu 302 është plotësisht e denjë për një skenar filmi. Nga një dyqan lulesh përballë godinës së burgut, ngjitur me një nga komisariatet e policisë dhe disa qindra metra larg qendrës së Tiranës, kishte nisur hapja e një tuneli të nëndheshëm. Nga ajo çka është zbuluar deri më tani, kuptohet se organizatorët kanë patur një plan të detajuar dhe kanë shfytëzuar edhe hartat e zonës dhe ato të kanalizimeve. Tuneli nuk vazhdon drejt por ka shumë devijime, për të shmangur mesa duket tubacionet e kanalizimeve, por edhe ato të telefonisë.

Edhe zgjedhja e dyqanit ku tregtoheshin lule ka shërbyer si mbulesë për të maskuar nxjerrjet e sasirave të dheut të gërmuar si pjesë e një biznesi me lulet. Në tunnel nuk është punuar me mjete shumë të sofistikuara, ndoshta për të evituar edhe zhurmat që mund të nxisnin dyshimet. I gjithë tuneli kishte marrë formën e një miniere të vogël, ku ishin vendosur skelete me dërrasa për të evituar shembje të dherave.

Punimet që nuk dihet se kur kanë nisur kishin mundur që të conin gërmimet deri në brendësi të oborrit të administratës së burgut. Sipas autoriteteve do të duhej të hapeshin edhe 27 metra të tjera që tuneli të përfundonte në mjediset e godinës ku mbahen të dënuarit.

Zbulimi i kësaj përpjekjeje u bë i mundur nga disa sinjalizime që kishte marrë drejtoria e burgjeve rreth një plani i për një arratisje. Kjo bëri që sot strukturat e saj dhe të policisë të viheshin në lëvizje duke kontrolluar të gjitha mjediset. Falë këtyre kontrolleve u zbulua edhe tuneli. Në oborrin e administratës u hap një gropë, nga e cila më pas u zbulua se dalja e saj ishte në dyqanin e luleve.

Policia nuk mund të thotë ende se cili nga të dënuarit kishte planifikuar të arratisej. Në burgun 302 qëndrojnë eksponentët kryesor të krimit, që nga I dënuari për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari deri te ish funksionari i prokurorisë Sokol Kociu, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

XS
SM
MD
LG