Lidhje

Fototeka “Marubi” - monument i vlerave kombëtare të popullit shqiptar


Fototeka Kombetare “Marubi” është një nga instituicionet kulturore, me vlera kombëtare në Shqipëri. Aty ruhen disa mijëra fotografi, të realizuara nga fotografët më të njohur shqiptarë. Mes tyre, gjendet edhe negativi i fotografisë së parë shqiptare, realizuar nga fotografi Pjetër Marubi. Korespondenti ynë Pëllumb Sulo na sjell një reportazh nga kjo Fototekë, që është edhe e vetmja në Shqipëri.

Fototeka Kombetare “Marubi” gjendet ne qendër të qytetit të Shkodrës, ku janë edhe disa nga institucionet më të rëndësishme të këtij qyteti, të njohur për traditat e pasura kulturore, me ndikim edhe në kulturën kombëtare shqiptare. Fototeka është krijuar në vitin 1970, por në fondet e saj ruhen negative të fotografive që i perkasin një periudhe gati 150 vjeçare, duke nisur nga viti 1858.

Drejtoresha e Fototekës Kombetare “Marubi”, Semiha Osmani, thotë se Fototeka është e lidhur kryesisht me familjen e njohur Marubi, duke filluar nga fotografi i parë shqiptar, Pjetër Marubi e pas tij, me Kel e Gegë Marubin. Por ketu ruhet edhe puna dhjetra vjeçare e fotografëve të tjerë shkodranë te familjeve Pici, Jakova, Raboshta e Nenshati. “Gjithësej, në total në Fototekën “Marubi” bëhen rreth 500 mijë negativë, duke u futë edhe fondi i ri i Angjelin Nenshatit,” thotë zonja Osmani.

Sipas drejtoreshes Osmani, dixhitalizimi i fotografive të Fototekës “Marubi”, do të ndihmojë për njohjen dhe ruajtjen më të mirë të vlerave të saj. Tashmë, në procesin e dixhitalizimit të këtyre fondeve është përfshirë edhe pasardhësja e fundit e familjes Marubi, Terezina Marubi.

Profesor doktor Kahreman Ulqini është autori i albumit të parë “Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën “Marubi”, të botuar në vitin 1982. Ai thotë se vlerat e Fototekës “Marubi” kanë përmasa kombëtare dhe se duhet të vazhdojë puna për seleksionimin dhe shfrytëzimin shkencor të këtyre vlerave.

“Fototeka është një minierë, mund ta krahasojmë, dhe dallohet jo vetëm për sasinë e madhe por edhe shumëllojshmërinë, tematikat e ndryshme. Aty në xhamat e grumbulluar janë fiksuar veprimtari ekonomike, shoqërore, politike, administrative, ushtarake, etj., të cilat përbëjnë një material të pazëvendësueshëm për studiuesin. Fototeka pret të bëjë edhe një klasifikim të brendshëm të materialieve, që t’i shërbejë më mirë studiuesve. Këtu hyn edhe skedari ose aparati informativ, që do të jetë kronologjik, tematik dhe krahinor,” thotë profesor Ulqini. Vitet e fundit, me fotot që ruhen në Fototekën “Marubi”, janë publikuar edhe disa albume e botime të tjera në Shqipëri, Francë, Itali e Spanjë. Por fotot e kësaj fototeke janë shfrytëzuar edhe nga dhjetëra studiues shqiptare dhe të huaj, për botime të shumta shkencore rreth historisë dhe kulturës shqiptare dhe ballkanike.

Duke vlerësuar pasuritë dokumentare, kulturore dhe historike të Fototekës “Marubi” muajt e fundit, qeveria shqiptare e shpalli atë si institucion kombëtar, nën kujdesin e Ministrisë shqiptare të kulturës.

XS
SM
MD
LG