Lidhje

Tifozët e futbollit amerikan përgatiten për finalen e kampionatit - 2005-02-05


Të dielën në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 100 milion njerëz pritet të ndjekin ndeshjen e futbollit profesionist amerikan midis ekipit Patriots të rajonit New England dhe atij Eagles të Philadelphias. Ndeshja, e quajtur superboll, zhvillohet në Jacksonville të shtetit Florida-s. Jozyrtarisht, e diela e superbollit është si një lloj feste kombëtare në Amerikë. Kjo nuk është thjesht një ndeshje sportive por një ditë që u jep rast njerëzve të familjes dhe miqve të mblidhen së bashku. Nga superbolli përfitojnë shumë edhe kompanitë të cilat shpenzojnë miliona për të bërë reklama gjatë 5 orëve që zgjat ndeshja.

Futbolli amerikan është mbreti i lojrave në Shtetet e Bashkuara. Finalja ose superbolli i parë u zhvillua në vitin 1967, kur ekipi Green Bay mundi atë të Kansasit përpara një stadiumi gjysmë të zbrazët. Gjatë viteve, superbolli është bërë loja më e ndjekur nga miliona amerikanë.

"Është një ndeshje e jashtëzakonshme dhe të kënaq kur e shikon. Ne këtu në Teksas na pëlqen shumë," thotë një tifoz. "Më duket gati e pabesueshme që ndodhem këtu në radhën e parë."

Ndeshja e këtij viti zhvillohet në Jacksonville të Floridës. Java përpara ndeshjes është një çmenduri e vërtetë reklamash. Por lojtari i ekipit Patriots, Rodney Harrison, thotë se ai shijon çdo minutë të kësaj jave.

"Njeriu nuk lodhet kurrë prej saj. Mund të lodhesh nga që njerëzit të kërkojnë bileta por jo nga java që i paraprin ndeshjes dhe as nga vetë ndeshja," thotë Rodni Herison, lojtar i ekipit Patriots.

Pikërisht këtu i varin shpresat edhe kompanitë e reklamave që shpenzojnë miliona për spotet televizive. Uali Snaider është President i Federatës Amerikane të Reklamave:

"Kjo është një ditë feste, një festë e madhe amerikane. Nëse ke fatin të jesh nga këto dy qytete, pra ose të jesh me ekipin Patriots ose me atë Eagles, atëhere do të kënaqesh më shumë se askush tjetër. Fjala është për një paketë të madhe argëtuese e cila vazhdon gjithë javën e deri sa të mbarojë ndeshja," thotë zoti Snaider.

Eagles do të përpiqet të mos e lejojë ekipin Patriots të fitojë për të tretën herë kampionatin e futbollit amerikan. Miliona amerikanë do ta ndjekin lojën në televizion dhe shumë prej tyre do të marrin pjesë në mbrëmje argëtimi që do të organizohen me këtë rast. Mat Uinkler është profesor i sporteve në Universitetin George Washington:

"Ky është bërë një fenomen i vërtetë kulturor në Amerikë, sepse ai përputhet me ato gjëra që na pëlqejnë neve në sporte, siç është agresiviteti dhe njëkohësisht në jetën sociale: mbrëmjet e argëtimit - pra ku njerëzit mblidhen dhe gëzojnë në shoqërinë e miqve,” thotë Dr. Uinkler.

Ndryshe nga ngjarjet e tjera sportive, mbrëmjet me rastin e superbollit tërheqin njerëz nga më të ndryshmit.

"Këtu bëhet fjalë për përzjeren e njerëzve shumë të ndryshëm dhe jo thjesht një grup burrash që shikojnë një ndeshje në mënyrë pasive," thotë zoti Uinkler.

Siç shprehet zoti Snaider i Federatës amerikane të Reklamave "Ky është një rast i mirë për të tërhequr audiencën më të madhe televizive në vend. Vitin e kaluar, ndeshjen e panë 50 milion burra por edhe 40 milion gra, kështu që kjo ishte edhe për to ngjarja më e madhe sportive"

Disa njerëz e shikojnë ndeshjen si justifikim për të festuar, të tjerë për të parë koncertin e pasur gjatë pushimit, ndërsa një pjesë tjetër për reklamat e reja.

"Kjo është dita më e rëndësishme për reklamat në Amerikë. Vitin e kaluar u shpenzuan 140 milion dollarë për të blerë kohë për reklama gjatë superbollit. Ndoshta kjo shumë do të rritet këtë vit sepse kostoja e një reklame 30-sekondëshe ka shkuar në 2 milion e 500 mijë dollarë," shpjegon zoti Snaider.

Kjo është gjithashtu dita më e rëndësishme e basteve në Amerikë. Vitin e kaluar, për bastet e ligjshme u shpenzuan më tepër se 300 milion dollarë.

"Ky është një tjetër aktivitet që i bashkon njerëzit jo thjesht nga tifozllëku që bëjnë ata gjatë ndeshjes,” thotë zoti Uinkler

Kjo ndeshje, ngjarja më e rëndësishme sportive e Amerikës, do të transmetohet drejtpërdrejt në të gjithë vendin si dhe në 146 vende të tjera, megjithëse njerëzit jashtë Amerikës i habit fakti se përse ne e quajmë këtë ndeshje futboll.

XS
SM
MD
LG