Lidhje

Presidenti Bush përgatitet të paraqesë projekt-buxhetin për vitin fiskal 2006 - 2005-02-05


Presidenti Bush thotë se të hënën do t’i paraqesë Kongresit një projekt-buxhet ku parashikohet shtimi i pagesave për familjet e ushtarëve amerikanë të vrarë në luftën kundër terrorizmit. Presidenti Bush i bëri këto komente në fjalimin e tij në radio, ku veç planeve për buxhetin ai theksoi edhe temat e fjalimit të tij mbi gjendjen e vendit.

Presidenti Bush thotë se buxheti për vitin fiskal 2006 do t’i japë ushtrisë amerikane të gjitha mjetet e nevojshme për fitoren kundër terrorizmit.

Presidenti tha se plani do të rrisë në mënyrë të ndjeshme shpërblimet për familjet e ushtarëve që vriten. Zyrtarë të mbrojtjes thonë se pagesat do të arrijnë shumën 250 mijë dollarë dhe nga kjo do të përfitojnë edhe familjet e personave të vrarë në fillim të ndërhyrjes ushtarake amerikane në Afganistan.

Presidenti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij në radio për të paraqitur planet e tij për buxhetin si dhe për të theksuar temat e fjalimit të tij mbi gjendjen e vendit. Ai tha se zgjedhjet e fundit në Afganistan, në territoret palestineze, Ukrainë dhe Irak tregojnë një prirje në rritje drejt lirisë:

“Bota e tërë tani mund të shohë se vrasësit i pret dështimi, sepse po luftojnë dëshirën e popullit irakian për të jetuar në liri. Kur Iraku është demokratik, në paqe me fqinjët, dhe i aftë për të mbrojtur veten, vendi ynë do të jetë më i sigurtë dhe trupat do të kthehen në atdhe me nderin që kanë fituar,” tha presidenti.

Zoti Bush tha se projekt-buxheti i tij do ta mbajë rritjen e shpenzimeve nën nivelin e inflacionit, duke e futur në fuqi përgjithmonë uljen e taksave dhe duke iu përmbajtur synimit për pakësimin në masën 50 për qind të deficitit deri në vitin 2009.

Presidenti ritheksoi nevojën për reformimin e sistemit federal të pensioneve. Zoti Bush thotë se synon t’u japë mundësi punonjësve me moshë më të re të investojnë një pjesë të vogël të taksave që u mbahen për pensione, në llogari private të cilat të kenë përqindje më të larta fitimi krahasuar me sistemin federal aktual.

Demokratët në Kongres thonë se plani i presidentit do të pakësonte përfitimet për amerikanët e moshuar dhe do të rrezikonte pensionet për brezin më të ri, i cili mund të humbasë para në tregun e pasigurtë të aksioneve.

Në fjalën e tij në emër të Partisë Demokrate, kryetari i kësaj partie Terry McAuliffe tha se plani i presidentit do të pakësonte thuajse në masën 50 për qind përfitimet për amerikanët që dalin në pension në të ardhmen, pavarësisht nga llogaritë private të investimeve.

“Ç’është edhe më e keqja: edhe pas këtyre pakësimeve në përfitime dhe huave masive, llogaritë private nuk do të arrinin të ndihmonin sistemin federal të pensioneve. Nuk keni nevojë të më besoni vetëm mua për këtë. Vetë Shtëpia e Bardhë e ka pohuar këtë fakt gjatë kësaj jave. Në fakt, llogaritë private do të përshpejtonin dështimin e programit. Pakësimi i përfitimeve, borxhet masive dhe shtimi i pasigurisë nuk janë ndryshimet e dramatike që i nevojiten programit kombëtar të pensioneve,” tha zoti McAuliffe.

Ai theksoi se demokratët pranojnë se programi do të ndeshet me probleme në të ardhmen, por ai shton se vendi ka kohë për t’i parandaluar këto probleme.

Presidenti Bush thotë se ka ardhur koha për të vepruar, para se programi të ndeshet me detyrime më të mëdha se shumat që derdhen në të deri në vitin 2018.

Zoti Bush thotë se plani i tij mbron amerikanët më të moshuar, duke siguruar se pensionet do të mbeten të pandryshuara për ata që kanë lindur para vitit 1950. Ata që kanë lindur pas këtij viti do të mund të investojnë vullnetarisht në llogari jo shumë agresive financiare në tregun e aksioneve.

XS
SM
MD
LG