Lidhje

Ngjarjet më të rëndësishme për shkencën evropiane - 2005-02-06


Viti 2005 filloi me një ngjarje të shënuar për Agjencinë Evropiane të Hapësirës, me dërgimin e sondës së hapësirës Hygens në Titan, Hëna më e madhe e Saturnit. Por kjo ngjarje e rëndësishme për shkencën porsa ka filluar: nga sonda Hygens priten tani një numër të rejash shkencore.

Më 14 janar sonda Hygens e Agjencisë Evropiane të Hapësirës, ESA, zbriti në Titan dhe mori mostrën e parë të përbërjes kimike të atmosferës së Titanit, si dhe fotografitë e para të sipërfaqes së tij misterioze.

Ky ishte një sukses i madh për ta filluar vitin 2005. Sipas ESA-s, këtë vit do të ketë një numër të madh misionesh, që do t’i zgjerojnë më tej njohuritë tona për hapësirën.

Në fushën e teknologjisë së raketave, inxhinierët evropianë nuk i kanë kursyer përpjekjet për rifillimin e programit Ariane-5 për hedhjen e raketave 10-tonëshe.

Sistemi i ftohjes i motorit të raketës së tipit Vullkan-2 është përmirësuar dhe mbulesa e tij termale është përmirësuar.

Rezultatet e një numri provash në Vernon të Francës, ishin të kënaqshme.

Ariane-5, 10 tonëshe, së shpejti do të jetë raketa më e rëndë evropiane që lëshohet në hapësirë.

Më 15 prill, astronauti italian Roberto Vittori do të jetë evropiani i parë që shkon me një mision të dytë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Në vitin 2002 ai mori pjesë në misionin Marco Polo.

Objektivat kryesore të misionit të tij do të jenë ndryshimi i raketës Soyuz të lidhur me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, e ashtuquajtur anije-shpëtimi dhe të mbikqyrë shtimin e numrit të pjestarëve ekpeditës nga 10 në 11 vetë.

Vittori gjithashtu do të kryejë një program të plotë eksperimental, ku gjatë qëndrimit 10-ditësh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, shumica e pjesëtarëve do të jenë italianë.

Për vitin 2005, është gjithashtu në plan edhe fluturimi i Automjetit të Transferimit Automatik të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, ATV.

ATV-së ju dha emri i shkrimtarit francez Zhyl Vern që ka vdekur 100 vjet më parë.

ATV-ja do të dërgohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me një raketë të tipit Ariane-5 dhe do të jetë e aftë t’i bashkohet vetë këtij Stacioni.

Me t’u shkarkuar ngarkesa 7,5 tonëshe, ATV-ja do të shërbejë si kosh gjigand për hedhjen e mbeturinave.

Një tjetër rol i rëndësishëm i ATV-së është rritja e lartësisë së Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, për të kompensuar tërheqjen e Tokës.

Në muajin qershor, do të lëshohet një satelit tjetër për vëzhgimin e motit, i quajtur Meteosat i Brezit të Dytë.

Ky satelit i sofistikuar ka një radiometër me 12 kanale, që bën të mundur parashikime tepër të specifikuara për motin rajonal, si dhe fotografon nga një imazh të ri çdo 15 minuta.

Sateliti do të vendoset në një orbitë stacionare derisa të nevojitet për të zëvendësuar një satelit tjetër para tij.

Rreth së njëjtës kohë, sonda Cryosat do të niset për në hapësirë për të vëzhguar shtresat e akullit në Polet.

Sonda Cryosat, do të masë edhe trashësinë e akullit në det me një saktësi të paparë dhe do të regjistrojë ndryshimet e akullit në varësi të ngrohjes globale.

Tre vjet pas dërgimit të kësaj sonde në hapësirë, shkencëtarët do të jenë të aftë të tregojnë me siguri, në se shtresat e akullit në polet e jugut dhe veriut po shkrijnë, dhe në se kjo ndodh, do të masë shpejtësinë e këtij procesi.

Gjatë gjithë vitit 2005, sondat SMART-1 dhe Mars Express, do të dërgojnë rregullisht të dhëna në Tokë.

Gjatë misionit të saj në Hënë, Smart -1 ka kryer prova të suksesshme me mjete të reja shtytëse, duke shfrytëzuar energjinë diellore, për të shkuar tek planetet e tjera.

Në muajin nëntor, agjencia evropiane e hapësirës do të fillojë misonin e saj të parë në Venus që do të quhet ”Venus Express”.

Pas një udhëtimi planetar 5-mujor, inxhinierët do ta fusin anijen e hapësirës në një orbitë 24-orëshe rreth Venusit.

Atje, kjo anije do të kryejë vëzhgime shkencore me instrumentet e veta, një pjesë e të cilave janë marrë nga anijet Rosetta dhe Mars Express, si dhe dy instrumente të reja eksperimentalë.

Ky mision do të zgjasë vetëm dy ditë venusiane, baras me 500 ditë në Tokë.

Në vitin 2005, Evropa gjithashtu do të hedhë një hap të ri përpara, me shërbimet e navigimit.

Do të lëshohet, një satelit, i cili do të bëjë përgatitjet për Galileon, sistemin satelitor navigues vetëm për Evropën.

Deri në vitin 2008, i gjithë sistemi dhe 30 satelitët e tij, do të duhet të vihen në funksionim.

Por viti 2005 do të jetë i rëndësishëm edhe nga pikëpamja politike për Agjencinë Evropiane të Hapësirës.

Këshilli i parë i Hapësirës që u mbajt më 25 nëntor, ishte një hap i rëndësishëm për formulimin e politikës evropiane të hapësirës.

Nga fundi i vitit 2005, vendet anëtare të Agjencisë Evropiane e Hapësirës do të zhvillojnë një takim për konfirmimin e kësaj politike.

Vendime të tjera lidhur me programet e reja të hapësirës, do të ndikojnë në të ardhmen e shkencës së hapësirës në Evropë. Këtu mund të përfshihen vëzhgimi global i Tokës, telekomunikacioni dhe eksplorimi i planeteve, që të dyja këto të drejtuara nga robotët.

XS
SM
MD
LG