Lidhje

Kondoliza Rajs takohet me udhëheqës izraelitë e palestinezë para takimit të tyre në Egjipt - 2005-02-06


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs ndodhet në Romë për bisedime me zyrtarët italianë dhe ata të Vatikanit, pas përfundimit të vizitës së saj të parë në Lindjen e Mesme që pas ardhjes në këtë post. Në përfundim të bisedimeve me zyrtarët izraelitë dhe palestinezë zonja Rajs, njoftoi emërimin e një bashkërenduesi amerikan për çështjet e sigurimit në Lindjen e Mesme si dhe shpalli një paketë ndihmash të shpejta për palestinezët.

Vizita e shkurtër e zonjës Rajs në Lindjen e Mesme u bë një ditë para takimit të parë izraelito-palestinez të nivelit të lartë në 4 vjetët e fundit. Por ajo vetë nuk do të jetë e pranishme në takimin e së martës të ndërmjetësuar nga Egjipti në pikën turistike Sharm el-Sheikh në Sinai. Po ashtu në takim nuk pritet të marrë pjesë ndonjë zyrtar i lartë amerikan.

Në një konferencë shtypi të hënën pas bisedimeve në Rramallah me Presidentin e ri palestinez Mahmud Abaz, zonja Rajs e përshëndeti takimin e nivelit të lartë të organizuar me nismën e Presidentit të Egjiptit Hosni Mubarak dhe theksoi angazhimin e administratës së Presidentit Bush për t’i ndihmuar palët kur ato të kenë nevojë.

Megjithatë, tha ajo, jo çdo gjë që ndodh në rajon ka nevojë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për angazhimin e Shteteve të Bashkuara. Është një gjë shumë e mirë kur palët mund të arrijnë përparim të tillë me njeri tjetrin siç kanë arritur Izraeli dhe palestinezët gjatë javëve të fundit. Është shumë mirë kur përfaqësues rajonalë arirjnë të organizojnë takime të nivelit të lartë, që palët të vazhdojnë përparimin dhe të ruajnë momentin e krijuar”, tha zonja Rajs.

Zonja Rajs tha se ndryshimi në udhëheqjen palestineze, i përfunduar me ardhjen në pushtet të Presidentit reformator Mahmud Abaz muajin e kaluar, ka krijuar një gjendje premtuese për popullin palestinez. Me zotin Abaz që qëndronte përkrah saj, Sekretarja e Shtetit njoftoi se Uashingtoni do t’i japë mbi 40 milionë dollarë ndihma Autoritetit Palestinez gjatë 3 muajve të ardhshëm.

Zonja Rajs tha se ky fond, i miratuar tashmë nga Kongresi, do të përdoret për programe që synojnë hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës në Bregun Perëndimor dhe në Gazë, projekte që mund të kenë ndikim të menjëhershëm për palestinezët.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo ndihmë është pjesë e paketës së ndihmave prej 350 milionë dollarësh që Presidenti Bush premtoi për palestinezët gjatë fjalimit të tij mbi gjendjen e vendit.

Zyrtarët amerikanë nuk i fshehin shpresat, se ndihma të tilla do të forcojnë udhëheqës të moderuar si zoti Abaz, përballë vështirësive të krijuara nga fraksionet radikale si Hamasi, i cili arriti fitore të thellë në zgjedhjet vendore në Gazë muajin e kaluar.

Sekretarja Rajs ka thënë se nuk ka ndonjë plan për të caktuar së shpejti ndonjë të dërguar të posaçëm amerikan në rajon.

Por në Rramallah, ajo njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në rajon një bashkërendues për çështjet e sigurimit, për të ndihmuar palestinezët të stërvisin forcat e reja policore dhe në se do të jetë e nevojshme, të luajë rolin e ndërmjetësit mes dy palëve, rreth respektimit të marrëveshjeve të sigurimit.

“Ideja është të kemi dikë që është i përgjegjshëm për të ndihmuar palestinezët në reformimin e forcave të tyre të sigurimit, të ndihmojë në vëzhgimin, por jo të veprojë si element shtesë në përpjekjet dhe veprimtaritë e palëve. Unë besoj se gjeja më e rëndësishme është që Izraeli dhe palestinezët të bashkëpunojnë në mënyrë dypalëshe për çështjet e sigurimit dhe që ky bashkëpunim të jetë i fortë, për t’u marrë me shumicën e problemeve”, tha Sekretarja e Shtetit.

Ky bashkërendues, tha ajo, do të jetë gjenerali William Ward, zëvendës komandat i forcave amerikane në Evropë.

Gjenerali Ward tha ajo do të shkojë në rajon për një vlerësim të gjendjes brenda disa javësh. Zyrtarët thonë se misioni i gjeneralit Ward nuk do të përfshijë dislokimin e ndonjë force amerikane.

Vizita e zonjës Rajs në zyrat e selisë së udhëheqjes palestineze në Ramallah, ishte e para e kësaj natyre, që kur ish Sekretari i Shtetit Kolin Pauell u takua atje me ish Presidentin palestinez Jaser Arafat në vitin 2002, para se Shtetet e Bashkuara t’i ftohnin marrëdhëniet me të.

Ndryshe nga zyrtarët e tjerë të huaj që janë takuar me zotin Abaz gjatë javëve të fundit, zonja Rajs nuk shkoi për vizitë tek varri i Jaser Arafatit, që ndodhej vetëm 10 metra larg vendit ku u zhvilluan bisedimet, në një pjesë gjysmë të shkatërruar të kompleksit.

XS
SM
MD
LG