Lidhje

Mosmarrëveshje mbi zonat elektorale në Shqipëri  - 2005-02-07


Në Shqipëri, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për ndarjen e re zonale, socialistët në pushtet kanë vendosur që të paraqesin në parlament variantin e tyre. Nga ana e saj opozita e cilësoi qëndrimin e partisë socialiste si një veprim që synon të prishë procesion zgjedhor dhe që sjell destabilizimin e vendit. Fundjavën e shkuar grupi i ekspertëve i drejtuar nga OSBE i dha fund punës së tij pa sukses duke i bërë thirrje partive shqiptare që të tregonin më shumë vullnet për të respektuar standartet ndërkombëtare.

Harta e re zgjedhore e vendit duket se po shkon drejt një zgjidhjeje të njëanshme. Socialistët dhe demokratët vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur në pozicionet e tyre. Opozita, e favorizuar për shkak të përkrahjes së varianteve të ofruara nga OSBE-ja priti një tërheqje të socialistëve. Por këta të fundit konfirmuan sot në mbledhjen e grupit se nuk do të pranojnë varianet që sipas tyre shkelin Kushtetutën e vendit, Kodin Elektoral dhe Kodin e praktikave të mira të Komisionit të Venecias.

Reagimi i opozitës ishte i mënjehershëm. Këtë vendim kryetari i partisë demokratike Sali Berisha e cilësoi si një përpjekje për shkatërrimin e procesit zgjedhor dhe akuzoi këtë direkt kryeministrin Fatos Nano: "Sot kërcënoi se do ta kalojnë me votat e tyre, pra kërcënoi për prishjen e procesit zgjedhor dhe destabilizimn e vendit. Ne jemi shumë të vendosur të japim cdo kontribut të nevojshëm për zgjedhjet e lira dhe të ndershme sic jemi të vendosur tu rezervojmë fatin e Janukovicve të gjithë atyre që do të kërcënojnë zgjedhjet".

I gjithë ngërçi ka lindur me numrin e zonave që duhet të spostohen nga jugu drejt Tiranës dhe veriut. Socialistët këmbëngulin në lëvizjen të vetëm të 2 zonave, 1 nga Berati dhe një nga Vlora, ndërsa varianti i propozuar gjatë bisedimeve me Osbe-në është për trasnferimin edhe të një zone tjetër nga jugu.

Tani mbetet që gjithshka të zgjidhet në bisedime dypalëshe, nëse do të ketë të tilla në ditët e mbetura. Grupi i ekspertëve të OSBE-së e mbylli punën pa sukses dhe ambasadori Pavel Vacek bëri thirrje që partitë shqiptare e përfshira në proces të shfaqnin më shumë vullnet politik dhe respekt për standardet ndërkombëtare ekzistuese. Gjatë gjithë periudhës së bisedimeve teknike, disa herë me radhë OSBE-ja kërkoi ndërhyrje edhe të ambasadës amerikane dhe të delegacionit të Komisionit Europian në mënyrë që të ushtronin trysni mbi drejtuesit e partisë socialiste dhe partisë demokratike për arritjen e një konsensusi.

XS
SM
MD
LG