Lidhje

Çfarë ndikimi ka dallimi mes gjinive në aftësitë e femrave për karrierë në shkencat natyrore?


Presidenti i Universitetit të Harvardit Lawrence Summers foli kohët e fundit në një konferencë, ku ngriti idenë se femrat mund të mos kenë të njëjtat aftësi si meshkujt në matematikë dhe shkencë. Me këto komente zoti Summers rihapi një debat të vjetër: veprimtaret feministe i përmbahen idesë se ky disnivel është pasqyrim i paragjykimeve ndaj femrave, ndërkohë që shumë psikologë theksojnë se secila nga gjinitë ka pikat e veta të forta dhe të dobëta dhe dallojnë njëra nga tjetra në interesat dhe preferencat e në jetën profesionale.

Komentet e presidentit Summers të Universitetit Harvard në Boston të Masaçusetsit i kanë zemëruar shumë prej punonjëseve dhe studenteve të këtij universiteti:

“Mua më kanë mësuar se gruaja mund të bëjë gjithçka si burri,” thotë një studente. “Tingëllon si një koment kundër zhvillimeve të shekullit të 21-të.”

Megjithëse presidenti Lawrence kërkoi më pas ndjesë për komentet e tij në një konferencë lidhur me angazhimin e grave në shkencë dhe inxhinieri, një debat i ashpër pasoi komentet e tij.

Historikisht djemtë arrijnë rezultate më të larta se vajzat në matematikë dhe shkencë gjatë shkollës tetëvjeçare dhe të mesme.

Sipas statistikave të fundit kombëtare, gratë përfaqësojnë vetëm 20 për qind të të diplomuarve në degët e inxhinierisë dhe më pak se një të tretën në matematikë dhe informatikë. Kjo diferencë është edhe më e madhe në nivelin pas-universitar.

“Djemtë dhe vajzat kanë të njëjtat prirje për të ndjekur shkollën në degë të shkencave natyrore, por vajzat nuk janë aq të interesuara për një karrierë në këtë fushë,” shprehet sociologia Kimberlee Shauman:

Dallimet ndërmjet gjinive shfaqen që herët, siç tregoi ky eksperiment, ku fëmijët u shkëputën nga nënat. Djali përpiqet ta gjejë nënën me mjete fizike, ndërsa vajza përdor komunikimin për t’u bashkuar me nënën.

Mjekët Ruben dhe Raquel Gur janë një çift që punojnë si specialistë neurologë. Ata kanë kryer eksperimente që konfirmojnë se gratë kanë aftësi të përkryera shprehimore, ndërsa burrat janë më të aftë në konceptimet në hapësirë.

Studimet e tyre tregojnë gjithashtu se gratë kanë një lidhje më të mirë ndërmjet dy hemisferave të trurit, gjë që i bën ato më të afta të angazhohen njëkohësisht në detyra të ndryshme:

“Ka disa funksione që meshkujt i kryejnë më mirë, ndërsa femrat janë më të afta në disa aspekte të tjera. Kur punojnë së bashku, krijohet një situatë e përkryer pasi kompensojnë dobësitë e njëri-tjetrit duke u bërë shkas për përparimin e species,” thotë dr. Ruben Gur.

Eksperimentet dhe studimet në këtë fushë do të vazhdojnë dhe rezultatet mund të jenë krejt të papritura. Por mbetet i pandryshueshëm një fakt: disktutimet mbi këtë temë do të krijojnë gjithmonë polemika.

XS
SM
MD
LG