Lidhje

Shqipëri: procesi i ndarjes së zonave elektorale ende pa zgjidhje - 2005-02-09


Në Shqipëri procesi i ndarjes së zonave elektorale vazhdon të jetë pezull. Socialistet të cilat kanë kundërshtuar propozimet e Osbe-së e kanë dorëzuar variantin e tyre pranë kësaj orgnizate, ashtu sic kanë bërë edhe demokratët. Mundësia e gjetjes se një kompromisi duket e largët. Kjo çështje, ashtu si dhe ajo e zgjedhjeve në përgjithësi pritet të jetë dhe në qendër të diskutimeve që kryeministri Nano po zhvillon në Bruksel.

Asnjë shenjë për një rishikim të mundshëm të qëndrimeve të dy forcave kryesore politike për ndarjen e re zonale. Një çështje e cila ka vënë në qendër socialistët të kundërshtuar jo vetëm nga opozita por edhe nga OSBE dhe së fundi aleatja e tyre partia e Bashkimit të të drejtave të njeriut.

Partia në pushtet i prëmbahet variantit të saj dhe këtë e ka dorëzuar tashmë edhe pranë Osbe-së. Demokratët kanë zgjedhur për momentin pozitën e favorshme të mbështetjes së propozimeve të bëra nga OSBE-ja të cilat përfshijnë edhe pretendimet e partisë që përfaqëson interesat e pakicës greke në Shqipëri dhe që kërkon krijimin e një zone thuajse etnikisht të pastër në jug.

Ndonëse deri më tani vëmendja është përqëndruar vetëm në transferimin apo jo të dy zonave nga jugu, në të vërtetë përplasjet mes socialistëve dhe demokratëve janë edhe për pjesën dërrmuese të zonave. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë dy ditëve të fundit ka patur kontakte për përfaqësitë diplomatike si të Osbe-së ashtu dhe të Komisionit Evropian.

Kjo situatë e nderë që rrezikon të infektojë procesin zgjedhor që në nisje, ka shoqëruar edhe vizitën që ka nisur sot pasdite në Bruksel Kryeministri Fatos Nano, i cili do të takohet me presidentin e Komisionit Evropian Barroso, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Përfaqësuesin e lartë për Politikën e Jashtme Solana dhe Zëvendëspresidentin dhe Komisionerin për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme Frattini.

Në mënyrë të përsëritur Brukseli ka deklaruar se zgjedhjete ardhshme do të jenë testi përcaktues i marrëdhënieve të ardhshme me Shqipërinë. Prandaj kjo çështje vështirë se mund të mbetet jashtë takimeve në Bruksel. Të paktën kryeministri Nano ka grumbulluar të gjithë informacionin e nevojshëm dhe veçanërisht për pretendimet e Partisë së Bashkimit të të drejtave të Njeriut për një zonë në jug. Kjo pikë e fundit konsiderohet mjaft delikate jo vetëm për kujdesin e vecantë që komisioni europian i kushton trajtimit të pakicave por edhe për vetë ndikimin e madh dhe trysninë që zyrtarët e Athinës ushtrojnë në Bruksel për minoritetin e këtushëm grek.

Ndjesia e këtushme është se takimet e sotme të kryeministrit mund të bëjnë që socialistët t’i rikthehen ndarjes zonale në ditët e pakta që kanë mbetur deri të hënën e ardhshme ku kjo çështje do t’i shtrohet për votim parlamentit.

XS
SM
MD
LG