Lidhje

Islami: Bisedimet për marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit të mbyllen para zgjedhjeve - 2005-02-10


Në Shqipëri ministri i jashtëm Katrioto Islami kërkoi sot gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Be dhe Natos që bisedimet e Shqipërisë për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit të mbyllen përpara zgjedhjeve. Deklarat e ministrit shqiptar vjen një ditë pas komenteve të presidentit të Komisionit Europian Zhose Manuel Barroso se nëse nuk respektohen standartet ndërkombëtare për zgjedhjet marrëdhëniet me Shqipërinë nuk mund të shkojnë përpara aq sa dëshirohet. Çështja e zgjedhjeve dhe e situatës së krijuar për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen zgjedhore ishte tema e takimit të mbrëmshëm mes zotit Barroso dhe kryeministrit Fatos Nano.

Përgatitja e zgjedhjeve të ardhshme dhe sigurimi i respektimit të standarteve ndërkombëtare gjatë zhvillimit të tyre prej kohësh është kthyer në një barometër të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit europian. Në mënyrë të përsëritur nga Brukseli është bërë e qartë se zgjedhjet do të jenë kushti kryesor për marrëdhëniet e ardhshme me Tiranën. Por sot ministri i jashtëm shqiptar Kastriot Islami, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe Natos avancoi në kërkesën që bisedimet të mund të mbyllen përpara zgjedhjeve:

“Gjykojmë se ka ardhur koha që negociatat të mbyllen dhe t’i hapin rrugë nënshkrimit të marrëveshjes. Mbyllja zyrtare e negociatave përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, për t’i lënë vend nënshkrimit pas zgjedhjeve, do të ishte një mesazh shumë pozitiv, i adresuar të gjithë faktorëve politik dhe social dhe natyrisht i balancuar që do të rriste ndjenjë e përgjegjësisë për të gjithë spektrin politik shqiptarm,” tha zoti Islami.

Kërkesa e ministrit shqiptar vjen pa u mbushur as 24 orë nga takimi i mbremshëm mes kryeministrit Fatos Nano dhe presidentit të Komisionit europian Jose Manuel Barroso ku refreni i bisedës kanë qenë pikërisht zgjedhjet dhe situata e krijuar për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen e zonave elektorale. Presidenti Barroso në deklarimet e tij, ndonëse të veshura dhe me përmbajtjen diplomatike, ka qenë mjaft i qartë. Për të qenë i ndershëm me kryeministrin shqiptar dhe me popullin shqiptar është shprehur ai, nëse nuk respektohen standartet, Komisioni europian nuk mund të shkojë aq përpara sa do të donte në marrëdhëniet me Shqipërinë.

Një paralajmërim i hapur nëse merret parasysh se çështja e zgjedhjeve është konsideruar prej tij si më urgjentja, aq sa të lerë në hije problemet kronike të luftës kundër krimit të organizuar apo korrupsionit. Presidenti Barroso ka qenë dhe në dijeni të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe per këtë arsye ai i është drejtuar zotit Nano jo vetëm si kryeministër por edhe si kryetar i shumicës që të ndërmerren të gjitha hapat për arritjen e një kompromisi dhe që të kjrijohen të gjitha kushtet që të mund të thuhet se janë zhvilluar zgjedhje plotësisht në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Në këtë këndvështrim ditët që vijnë mund të sjellin ndryshime në qëndrimin e socialistëve lidhur me ndarjen e zonave. Sinjalet i dha edhe kryeministri Nano kur gjatë deklarimeve në krah të zotit Barroso u angazhua për të krijuar çdo hapësirë të mundshme që përgatitjet përfundimtare për zgjedhjet të bazohen në konsensus dhe me miratimin konsensual sa më të gjerë në parlament.

XS
SM
MD
LG