Lidhje

Kompania Hewlit Packard shkarkon nga detyra Shefen Ekzekutive - 2005-02-10


Kompania Hewlit Packard shkarkon nga detyra Shefen e saj Ekzekutive Arsyeja për shkarkimin ishte rritja e pakënaqshme e aksioneve që pas blerjes së kompanisë Compaq nga Hewlet Packard

Për gjashtë vjet me rradhë, shefja ekzekutive e kompanisë Hewlitt Packard, Carly Fiorina është konsideruar si gruaja më e fuqishme në biznesin amerikane. Por të mërkurën bordi i kompanisë e detyroi atë të japë dorëheqjen pas kritikave se aksionet e kompanisë nuk janë rritur në vlerë që kur Hewlitt Packard bleu kompaninë tjetër të kompjuterave Compaq dy vjet më parë.

Megjithëse e pushoi nga puna, Bordi i kompanisë Hewlit Packard është i vendosur të ndjekë vizionin e Fiorinas, atë të zmadhimit, dominimit, dhe të plotësimit të kërsesave si të konsumatorëve edhe të korporatave.

Kompania kishte probleme të nxirrte fitimet që prisnin investitorët, veçanërisht pas blerjes së kompanisë rivale Compaq.

“Bordi arriti në përfundimin se strategjia e zonjës Fiorina është e drejtë por ajo nuk bëri sa duhet përsa i përket zbatimit të kësaj strategjie,” thotë një analist i tregut.

Megjithatë heqja e Fiorinas nuk do të sjell ndryshime të mëdha në postet drejtuese të kompanisë pasi ajo nuk solli me vete partnerë të tjerë.

Hewlit Packard nuk ka kohë të presë gjatë për një tjetër shef ekzekutiv pasi përballet me një konkurencë të fortë nga kompanitë Dell dhe IBM.

Kjo do të thotë më pak punonjës, kështu që pritet një tjetër raund shkurtimesh në kompaninë ku punësimi për gjithë jetën ishte dikur i sigurt.

Hewlit Packard shkurtoi 15 mijë punonjës pasi u bashkua me komapninë Compaq. Aksionerët janë treguar të duruar por jo për një kohë të gjatë.

“Mendoj se kompanitë që nuk arrijnë të ngrenë vlerën e aksioneve duhet të ndryshojnë menaxhimin,” thotë një aksioner.

Por a kishte të bënte gjinia në shkarkimin e saj dhe përse ka kaq pak gra në pozicionet drejtuese të kompanive amerikane? Në botën e ashpër të Korporatave Amerikane, ku burrat mbajnë 493 nga 500 pozitat më të larta, Carly Fiorina e dinte se ishte e vështirë për njerëzit të mos thonin diçka për të si grua.

“Pak pasi u bë shefe ekzekutive ajo tha një shprehje të famshme: gjinia ime është interesante por jo gjithçka,” thotë Beri Spens e Shoqatës së Femrave në Drejtim.

Si shefe ekzekutive e Hewlett Packard Fiorina krijoi modelin e afaristes. Ajo ka një rekord të shkëlqyer arritjesh, është tërheqëse, e rrjedhshme dhe karizmatike. Për gjashtë vjet me rradhë revista Fortune e cilësoi si gruan më të fuqishme në biznes.

“Ajo nuk ishte thjesht një afariste e mirë por një ekzekutive e talentuar që mund ta çonte kompaninë në një nivel më të lartë,” thotë zonja Spens.

Por bordi i kompanisë vendosë të shkarkojë Fiorinën pikërisht pasi nuk arriti ta bënte këtë. Analistët thonë se vendimi i saj për të blerë kompaninë Compaq tre vjet më parë dhe për të konkuruar fuqishëm në biznesin e kompjuterave personal ishte i kushtueshëm në një industri që po binte. Vendim që do t’i kushtonte vendin e punës edhe një shefi ekzekutiv.

XS
SM
MD
LG