Lidhje

Raporti i Amnesty International për Shqipërinë dhe Kosovën


Në raportin e saj të përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut për vitin 2005, organizata Amnesty International vë në dukje se në Shqipëri ankesat për shkelje të të drejtave të njeriut vazhduan.

Në raport thuhet se varfëria, papunësia dhe korrupsioni vazhduan të minojnë përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor. Ka pasur akuza që të ndaluarit janë keqtrajtuar gjatë arrestimit, ose pas ndalimit.

Komisioni i OKB-së kundës torturës i rekomandoi Shqipërisë masa të rrepta kundër torturës dhe keqtrajtimeve, por Amnesty International thotë se prokuroria jo shpesh hapi hetime, ose ngriti akuza më të lehta për krime të tilla.

Kushtet në qendrat e ndalimit, apo në burgje mbetën të vështira, ndërsa sipas anketave të organizatës dhuna kundër grave brenda familjes prek 40 për qind të grave. Fakti që në shumë raste autorët nuk janë dënuar e bën këtë fenomen edhe më të mprehtë.

Lidhur me trafikun e grave dhe fëmijëve në raport thuhet se megjithëse numri i tyre mund të jetë duke u pakësuar, shumë prej grave trafikoheshin më shumë se një herë, disa herë edhe dy herë në muaj.

Përsa i takon Kosovës, në raport përmendet fakti i ngritjes së padisë dhe i dorëzimit të ish-kryeministrit Haradinaj, si edhe i disa gjykimeve ndërkombëtare në Prishtinë ndaj personave të akuzuar për krime lufte.

Pavarësisht nga rifillimi i bisedimeve, Amnesty International thotë se nuk ka patur ndonjë përparim për të çuar para drejtësisë përgjegjësit për zhdukje si të shqiptarëve, ashtu edhe rrëmbimet e serbëve, romëve dhe pakicave të tjera.

Në raport thuhet se vazhdimisht ka patur njoftime për sulme kundër serbëve dhe diskriminimi i pakicave dhe trafiku i grave dhe vajzave, mbizotëruan si probleme.

XS
SM
MD
LG